MENU
klinika

Rama: Ja çfarë do bëjmë ne

A janë bindur Franca e Holanda? “Shumë shpejt nis debati!”

24.01.2020 - 16:30

Gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin Edi Rama, pas takimit me të, Presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel, u pyet nga gazetarët nëse është bërë ndonjë hap konkret për të bindur Francën dhe Holandën për integrimin e Shqipërisë në BE.

Në përgjigjen e tij, i pari i KE theksoi se për momentin nuk ka unanimitet në BE për integrimin, por sipas tij, shumë shpejt do të nisë debati dhe diskutimi për tri shtyllat kryesore, në të cilat do të bazohet strategjia e zgjerimit.

“Ne kemi nevojë për një vendim unanim, lidhur me këtë çështje, që është shumë e rëndësishme që të gjitha vendet të aderojnë në këtë temë. Shumë shpejt do të kemi rastin të kemi rezultat lidhur me tre temat që përmenda lidhur me modernizimin e zgjerimit. Dua të drejtoj një dialog të fortë intensiv se si mund të bëhen hapat e parë. Mesazhi im është i qartë, them që sot nuk kemi unanimitet. Do organizojmë mbledhje në javët e ardhshme për të parë se si mund të kemi një unanim për temat që paraqita. Ka një unanimitet në lidhje me një pikë, që të gjitha vendet e BE konsiderojnë se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jetë në BE. Ne e dimë që reformat janë të vështira, sepse duhen luftuar situata që janë të ngulitura, por kemi nevojë që javët e ardhshme të vazhdojmë debatin dhe diskutimet lidhur me këtë temë”, tha Michel.

Ndërsa, kryeministri Edi Rama iu përgjigj kësaj pyetjeje me argumentin se BE është në proces diskutimi të brendshëm dhe se ai dhe qeveria e tij nuk kanë asgjë në dorë. Rama tha se është e rëndësishme që brenda këtij viti shqiptarët e prekur nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit të jenë futur në shtëpitë e reja, ndërsa bëri dhe një paralajmërim për gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, të cilët vetë ai i ka cilësuar i grupi “KÇK” (Kap ç’të kapësh”), teksa tha se ka ndarë me Presidentin e KiE ambicien për të hedhur një hap të ri në luftën kundër këtij grupi.

“BE ka një diskutim të brendshëm dhe me gjithë mirënjohjen për vëmendjen, që asnjëherë nuk ka munguar në raport me nevojën time për të përcjellë opinionet e mia qoftë në Paris apo kryeqytetet e tjera, jam i vetëdijshëm se nuk varet nga çfarë themi apo bëjmë ne në këtë moment, por sa dhe si miqtë tanë në BE do të bien dakord për një metodologji të re dhe cila do të jetë qasja e përgjithshme e BE. Në këto kushte, edhe Franca të ishte duke kërkuar të hynte në BE nuk do të pranohej nga Franca. Është një diskutim konceptual brenda BE, që ne duhet ta respektojmë. Ajo që unë konstatova nga biseda me Presidentin e KE është qasja që ai kërkon të sjellë së bashku me të tjerët për një dimension të ri në marrëdhëniet mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE.

Pavarësisht e cili do të jetë vendimi i radhës në aspektin e çeljes apo shtyrjes së negociatave, ne do vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë që do të kishim bërë edhe po të ishin hapur negociatat, sepse ne e bëjmë për veten tonë, jo se na e kërkon Parisi apo Haga. Ka një qartësi për faktin se reformat tona po ecin, se rezultat e pritura po vijnë. Kam ndarë me Presidentin edhe ambicien për të hedhur një hap të ri në luftën kundër krimit të organizuar dhe KÇK dhe kështu do të vazhdojmë.

Në fund të këtij viti, Shqipëria duhet të jetë një vend më i mirë dhe ne të kemi arritur me BE t’i kemi dhënë atyre që kanë pasur tragjedinë e madhe të nëntor jo vetëm shpresë, por shtëpi të reja dhe perspektivë të re për të hyrë në shtëpi, jo më larg se viti i ardhshëm për ata që jetojnë në qytet”, deklaroi Rama.