Më 3 janar, Shtetet e Bashkuara vranë Qassem Suleimanin, një komandant të lartë ushtarak iranian.
Të nesërmen, në një konferencë speciale për shtyp, një zyrtar i lartë i panjohur i Departamentit të Shtetit të SHBA, tha që Suleimani kishte qenë, për 20 vjet,”arkitekti kryesor” i sulmeve terroriste të Iranit dhe kishte “vrarë 608 amerikanë vetëm në Irak.”
Suleimani dhe Muhandis ishin caktuar si terroristë nga Kombet e Bashkuara.
Në vitin 2003, inteligjenca amerikane në lidhje me armëmbajtjen e supozuar të Irakut ishte plotësisht e gabuar. Këto gabime çuan në pushtimin e Irakut, i cili hapi rrugën e përfshirjes së Iranit dhe Suleimanit në vend.
Por le të supozojmë se këtë herë faktet janë siç thotë administrata amerikane. A ishte vrasja e dyfishtë e justifikuar etikisht?
Mund të fillojmë me idenë se është e gabuar të marrësh jetën e një njeriu. Presidenti Donald Trump nuk do ta mohojë këtë.
A ka ndonjë përjashtim për “djemtë e këqij”, dhe pse? Përsëri, le të supozojmë se e drejta për jetën mbron vetëm njerëzit e pafajshëm. Kush do ta gjykojë pafajësinë? Nëse favorizojmë, siç thonë shpesh amerikanët, “qeverinë e ligjeve, jo e burrave”, duhet të ketë një proces ligjor për të fajësuar dikë.
Në vazhdën e vrasjes së Suleimanit, Agnès Callamard, një Raportues Special për ekzekutime judigjore, përmbledhëse ose arbitrare në Zyrën e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, vuri në dukje se nuk ka mbikëqyrje të vrasjeve të kryera përtej kufijve të një vendi.
E vetmja gjë që Shtetet e Bashkuara mund të thonë për të justifikuar vrasjet e tyre është se ajo synon vërtet njerëz të këqij.
Kjo e vendos sundimin e njerëzve mbi sundimin e ligjit.
Arsyetimi tjetër që Pentagoni ofroi për vrasjen i referohej pa dyshim “pengimit të planeve të ardhshme të sulmit iranian”.
Një lexim i kujdesshëm i transkriptit të konferencës për shtyp të 3 janarit, të mbajtur nga tre zyrtarë të Departamentit të Shtetit, tregon mendimin e vërtetë të administratës Trump.
Në përgjigje të pyetjeve të përsëritura, një zyrtar e krahasoi atë me rrëzimin e një aeroplani të vitit 1943 që transportonte admiralin japonez Isoroku Yamamoto, i cili po vizitonte trupat japoneze në Paqësor, një incident që ndodhi në mes të luftës, më shumë se një vit pasi japonezët sulmuan Pearl Harbour.
Nëse zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit besojnë se SHBA është e angazhuar në një luftë me Iranin, siç ishte me Japoninë në 1943, vrasja e Suleimani ka kuptim.
Sipas teorisë standarde të luftës, ju mund të vrisni armiqtë tuaj sa herë që keni mundësinë ta bëni këtë, për sa kohë që rëndësia e objektivit tejkalon të ashtuquajturën dëm kolateral të dëmit për të pafajshmit.
Por SHBA nuk është në luftë me Iranin.
Kryetarja e Demokratëve, Nancy Pelosi sugjeroi që liderët e kongresit duhej të ishin konsultuar në lidhje me planin për të vrarë Suleimanin. Nëse do të ishte një akt lufte, ajo ka të drejtë.
Nëse, nga ana tjetër, vrasja nuk ishte një akt lufte, atëherë, si një atentat jashtëgjyqësor, i cili nuk ishte i domosdoshëm për të parandaluar një sulm të afërt, ishte njëkohësisht e paligjshme dhe joetike.
Ajo rrezikon të ketë pasoja të rënda negative, jo vetëm në Lindjen e Mesme, por kontribuon në një rënie të mëtejshme të sundimit ndërkombëtar të ligjit.
Peter Singer është Profesor i Bioetikës në Universitetin Princeton dhe themelues i organizatës jofitimprurëse The Life You Can Save. Në vitin 2013, ai u emërua i treti “mendimtar bashkëkohor më me ndikim” nga Instituti Gottlieb Duttweiler.
Përkthyer dhe përshtatur nga Project Syndicate/ konica.al