MENU
klinika

Nga thonjtë e paprerë, te hotelet

Asnjë si Sarri, trajneri më supersticioz në botë

18.01.2020 - 14:50

Para pak ditësh, Maurizio Sarri festoi 61 vjetorin e tij. Në botën e futbollit nuk është parë një trajner më supersticioz sa ai. 

Përveç stilit të tij të lojës emocionuese, falë të cilit tashmë edhe në fjalorin italian është futur fjala “sarrizëm”, Maurizio është një nga ata persona që heq dorë nga luksi vetëm që mos përsiten gjërat që nuk kanë shkuar mirë për të.

THONJ TË PAPRERË 

Kur stërviste skuadrën e Sangiovanesses, Sarri nuk i priste thonjtë e këmbëve, sepse mendonte se në të kundërt do t’i kishte ecur ters në fushën e lojës.

Në fund të sezonit, ndoshta jo vetëm çorapet, por edhe këpucët do t’i kenë qëndruar më të ngushta, por falë kësaj besëtytnie, klubi toskan në fund arriti që të festojë ngjitjen në një kategori më lart.

RROTACION FUSHASH

Në Napoli, supersticioni i Sarrit preku edhe fushat e stërvitjes. Mertens një herë tregoi për një zgjedhje të veçantë të trajnerit, i cili vendosi t’u bënte rrotacion edhe fushave të lojës. Një zgjedhje derisa erdhi edhe humbja e parë.

I NJËJTI SHOFER 

Skuadra që fiton nuk zëvendësohet, por në rastin e Sarrit nuk zëvendësohet as shoferi i autobusit. Prandaj, për të evituar prishjen e magjisë pozitive, në periudhën që Sarri stërviste në kategoritë e ulëta, ai vendosi që nga ajo ndeshje e në vazhdim autobusin e skuadrës ta drejtonte i njëjti shofer.

Një herë tjetër, kishte harruar çakmakun në zyrën e tij. Për t’u menduar për zgjedhjet e tij kishte dalë jashtë qendrës stërvitore për të menduar skemat e lojës dhe për të tymosur një cigare.

E bëri atë në një lokal të vogël aty pranë dhe i eci mbarë. Të njëjtin rit ai e përsëriti, sigurisht derisa erdhi humbja e parë.

3 KAFE NË FUSHË 

Sarrin e shoqërojnë 3 kafe radhazi që nga hapat e tij të parë të karrierës. Këtë gjë e bën jo vetëm gjatë stërvitjes, por edhe përpara çdo ndeshjeje.

Dhe kush mendon se 3 kafe radhazi, përpara atyre momenteve janë shumë, kjo nuk qëndron për Sarrin. Arsyen e tregon ish-ndihmësi i tij: “Një të diel pimë 3 kafe përpara një fitoreje që nuk e mendonim.”

Nga ai moment u detyruam të pinte i gjithë stafi 3 kafe secili, për të mos prishur magjinë, por ndërkohë ai e ruajti edhe në vazhdim”.

Madje, te Napoli është epike fotoja e cila sheh asistentin e tij që jo t’i drejtojë stërvitjen, por t’i mbajë ibrikun e ekspresit në dorë, ndërsa ai shijon disa cigare radhazi dhe i pi në fushë, përpara seancës 3 kafet “magjike”.

MOS E PREK TOPIN… 

Të gjithë trajnerët, kur e kanë skuadrën e tyre në disavantazh, shpesh shndërrohen edhe në kapës topash, kur sfera kalon vijën anësore të fushës, më së shpeshti pranë pankinës së tyre.

Të gjithë, me përjashtim të Sarrit. Po, pikërisht kështu, sepse Maurizio diçka të tillë nuk e bën sikur t’i vënë pistoletën në kokë, edhe sikur skuadra e tij të jetë duke humbur me vendin e fundit.

Ky ves shumë i çuditshëm la të shtangur një prej futbollistëve më të besuar të Sarrit, Jorginhon, me të cilin ndau 4 vite radhazi (3 te Napoli dhe 1 te Chelsea).

“Ishte një moment kur po humbnim dhe ne i thërrisnim që të na ndihmonte me topin, në shumë raste që sfera kaloi pranë këmbëve të tij. Jo…

Asgjë nuk ia lëvizte gjymtyrët, madje as instinkti i tij nuk i thoshte që gabimisht të zgjaste këmbën, apo dorën. Një herë tjetër kur po fitonim thellë, bëra gjithçka që t’ia lëshoj topin fort dhe drejt këmbëve të tij. E dini… E shmangu topin. Është thjesht e pamundur”.

Por cila është arsyeja e kësaj zgjedhjeje? Shumë e thjeshtë, sepse sipas ideologjisë së lojës së Sarrit, skuadra e tij nuk duhet ta nxjerrë topin asnjëherë jashtë vijave anësore.

NUK SHKEL AS VIJËN E FUSHËS

Por nëse topi nuk duhet të dalë jashtë vijave anësore, as Sarri nuk ka ndërmend që të hyjë brenda vijave të fushës. Madje, është aq i fiksuar sa nuk e shkel vijën anësore për asgjë në botë.

Diçka të tillë e shmangu edhe kur në “Wembly”, vjet në aventurën me Chelsea, portieri Kepa e tërboi, duke mos pranuar urdhrin e Sarrit që të ulej në stol.

Edhe pse turfullonte, duke goditur ndenjësen e tij, grisi tutën e më pas goditi me shkelma edhe derën e tunelit, pasi e përjashtuan me të kuqe, në asnjë rast Sarri nuk e shkeli vijën e fushës.

JO MË NË HOTELE “HUMBËSE”

Sarri nuk qëndron në një hotel të njëjtë nëse ka humbur të nesërmen, edhe sikur ai hotel të jetë më luksozi në botë. Sarri e detyroi ekipin që të akomodohej në një motel njëherë me Chelsean.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN