Takimi midis përfaqësuesve të Bankës Botërore dhe kreut të Autoritetit Portual Durrës pati si temë kryesore diskutimi zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të detarisë, infrastrukturësportuale, turizmit dhe peshkimit.
Ekspertët e industrisë detare pranë Bankës Botërore, Jo Scortino, Stefán Þórarinsson dhe Ögmundur Knútsson, ndanë me kreun e APD-së, Pirro Vengu, analizën e tyre lidhur me mirëqeverisjen e autoriteteve portuale, si strukturë mbështetëse në zhvillimin e turizmit dhe peshkimit.
Vengu nënvizoi rolin e rëndësishëm të Shqipërisë si një potencial rajonal për të çuar përpara zhvillimin e integruar të ekonomisë blu (Blue Economy), nëpërmjet rritjes së kapaciteteve inxhinierike dhe planifikuese për infrastrukturën portuale dhe menaxhimin detar në rang kombëtar.
“Në kuadër të një programi mbështetjeje të dedikuar, Banka Botërore do të vijojë bashkëpunimin me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe APD, në funksion të mirë menaxhimit të resurseve nën-ujore dhe zhvillimit të qëndrueshëm”– bën të ditur Autoriteti Portual i Durrësit.