MENU
klinika

Kërkesat e Zyrës së Gardës Civile pranë “Vatrës” të Amerikës

Çdo vullnetar mund të marrë me vete një sëndyq me plaçka!

10.01.2020 - 09:51

– Të dërgoni menjëherë në zyrën e “Vatrës” gjashtë piktura të vogla (fotografi) për pasaportën tuaj……Pikturat (fotografitë) të jenë gjysmë dhe kryejashtë! Te mos varni çaparka, emblemë të shoqërive a qostekë! Të kini kollaro dhe mveshur me rroba të mira!

– Në aplikatën që do të gjeni brenda do të shënoni emrin tuaj, emrin e atit, llagapin, vërsën, fshatin dhe krahinën (Kazanë).

– Shkruani në çkllasë të vaporit doni të udhëtoni.
Për të siguruar vendin në vapor, dërgoni menjëherë në emrin e arkëtarit të Vatrës, z. Goni Katundi, 50 $ (pesëdhjetë dollarë), parapagesë, për tiqetën e vaporit dhe kusurin do ta paguani kur të vini vetë në New York……..
Akif Përmeti

Këto janë pjesërisht kërkesat që, më 20 shkurt 1920, u drejtonte Zyra e Gardës Civile pranë Federatës Panshqiptare “Vatra” të Amerikës (drejtuar nga Akif Përmëti), çdo vullnetari emigrant që do vinte në Shqipëri, me kërkesën e Kryetarit të Qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjës (1920), çkëlqesija e tij z. Sulejman Delvina.

Nisja e vullnetarëve u bë në datën 17 mars 1920, ora 7 paradite, nga New Yorku, me vaporin “Canada”, në itenerarin: – Atlantik – Azore (St Michael e Portugalisë) – Gjibraltar – Oran e Algjerisë – Palermo – Bari dhe mbërritën në Durrës më 3 prill 1920, ora 7 mbasdite. Ishin gjithësej 215 persona të Trupit Vullnetar (më të shumtët nga Shqipëria e Jugut), që erdhën në Shqipëri si një Gardë Civile, dhe 37 anëtarë të Bandës Kombëtare “Vatra”. Trupa dhe Banda lëvizi nëpër Shqipëri, në itenerarin Durrës – Tiranë – Elbasan – Berat – Tepelenë – Gjirokastër – Delvinë – Këlcyrë – Përmet – Leskovik – Ersekë – Korçë – Bilisht dhe kthimi në Vlorë më 27 korrik 1920 (Marrë nga “Ditarët e Llambi Vaskë Jorgjit”, botuar në 2014 nga i biri Kristaq Jorgji, fq. 143-173).

Listën e plotë të tyre ja u prezantojmë këtu (me foto) të cilat mund t’i shfrytëzojë kushdo, por këtu do veçoja emrat e 20 vullnetarëve vakëfllinj si: Mustafa Telha Panariti, Dervish Rapo Nebi, Myrteza Resul Hykollari, Taip Duro Panariti, Xheke Musa Panariti, Hasan Seit Panariti (panaritas); Kristo Vasil Neko, Vangjel Nikolla Naum (trebickallinj); Lekë Fani Katundi, Pandi Tasi Fani, Rako Josif Kristo, Goni Toli Kristo, Lipe Vasil Konomi (katundllinj); Llazi Spiro Naum, Miti Theodhos Stratobërdha (stratobërdallinj); Hamit Asllan Telha (Shtyllë), Stathi Andon Kasapi (Vithkuq) etj, dhe anëtarëve të Bandës: Ilo Treska, Loni Treska dhe Aleks Vasil Lubonja. Vini re çfarë peshe të madhe zinin vakëfllnjtë në numrin e përgjithshëm në shkallë vendi.

Kudo ku shkelën vullnetarët ndihmuan në rivendosjen e autoritetit dhe sovranitetit të shtetit shqiptar. Trupat Vullnetare të Mbrojtjes, krijuar më 1915 e stërvitur për 5 vite nga patrioti Akif Përmeti, stabilizuan kufijtë jugorë dhe u bënë pjesë e Luftës së Vlorës (5 qershor – 3 shtator 1920). Ata u bënë pjesë e Gardës Kombëtare, nën Komandën e Akifit, fatkeqësisht pushkatuar nga regjimi komunist në vitin 1945.

Ndërsa Banda Muzikore (e krijuar që në vitin 1915) dhe që njihet si “BANDA KOMBETARE E VATRES”, ngriti frymën Kombëtare me koncertet e saj nëpër Shqipëri. Ajo u bë pjesë e Luftës së Vlorës dhe Hymni i asaj lufte heroike ka për kompozitor dirigjentin e Bandës, Thoma Nasi.

Pas datës 27 korrik 1920 vullnetarët u lanë të lirë, kurse Banda jo. Ky postim bëhet në nderim të 100-vjetorit të Kongresit të Lushnjës (21-31 janar 1920) si dhe kontributit të çmuar të emigrantëve shqiptarë të Amerikës. Por nderimi, respekti dhe mirënjohja shkon, me këtë rast, dhe për gjithë emigrantët e sotëm shqiptarë, kudo ndodhen në botë, për sakrificat e tyre të jashtëzakonshme në mbajtjen e vetes, familjes, ndihmën ndaj të afërmëve dhe atdheut, për dhimbjen dhe mallin që i përvëlon në shpirt për vendlindjen dhe njerëzit e dashur, për talentet që shfaqin dhe imazhin pozitiv që përhapin kudo në botë.

Emigrantë të vjetër e të rinj (pavarësisht arsyes së largimit), jeni pjesë e ndritur dhe e pandarë e historisë shqiptare, dhimbja dhe krenarija jonë! Zoti ju bekoftë të gjithëve!