Në të gjithë qarkun e Gjirokastrës mjetet që nuk kanë shlyer detyrimet për taksa shkojnë në gati 4500 të tilla.
Mes debitorëve të vjetër janë gati 28 institucione shtetërore dhe ndërmarrje në varësi të tyre me një numër prej rreth 130 mjetesh, shumica aktive. Njësitë administrative që i kanë trashëguar mjetet nga ish komunat janë debitorët kryesorë shtetërorë.
Ata që nuk shlyejnë detyrimet vijojnë të ngarkohen vit pas viti edhe me kamat-vonesa. Ky është rasti për gati 1500 mjete që kanë taksa të mbartura që prej vitit 2012. Shumica e kësaj kategorie lidhet me emigrantë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
Penaliteti prej taksave të prapambetura pengon në një masë të madhe regjistrimin e mjeteve të reja dhe përpilimin e kontratave të shit-blerjes.
Emigrantët janë ata që shpresojnë në një falje të re për taksat e papaguara pas vitit 2012. Sistemi, sipas specialistëve lokalë ka nevojë të clirohet nga barra fiktive edhe për një pjesë të mjeteve që nuk kanë qenë në funksion pas 2012 sidomos prej atyre që kanë shkuar për skrap.
Më parë falja e detyrimeve e realizuar për periudhën 2003-2010 nxori nga qarkullimi dhe çregjistroi rreth 2200 mjete. Sipas parashikimeve lokale në fund të 2020, qarku i Gjirokastrës pritet të ketë në qarkullim jo më shumë se gjysmën e numrit të mjeteve të vitit 2000.