MENU
klinika

Si e njoh gjeniun Kadare

“E kemi pasur dhe ne Parnasin, si grekët e lashtë… Ja gjurmët!”

10.01.2020 - 13:53

      Nga: Hyjni Ceka

1

Kadarenë e kam shok prej vitesh…
Jemi pjekur, së pari, ndën shkallë të gjimnazit Asim Zeneli”, në Gjirokastër. Isha emëruar mësues në Lunxhëri. Ismaili… po… gjimnazist, në vit të dytë…
Poeti i ardhshëm s’qe, atëherë, veç një syth që priste të shpërthente. Edhe pse adoleshent, kishte besim në vetvete. Kështu që në takim m’u soll i barabartë. Dhe merrni me mend… unë, 19-vjeçar, ai, 15 vjeç! Katër vjet diferencë!
Atë mot, dua të them për vitin shkollor 1951-1952, azdisi. Krijoi disa cikle poezish, që s’ishin punë djelmoshash. Ato vinin si pranverë e gjenialitetit artistik.
Erdha të kaloja pushimet në verë. Në Elbasan solla prej Gjirokastre vargjet e Ismailit të vogël. I recitoja me nge… në sheshin e hotel “Parkut”, po ka qenë dhe ëmbëltorja e Ligor Mishtës.
Ndër figura, më pëlqente ai krahasimi i HËNËS, SI VETULL VASHE. Vjersha për “1 Majin” më luante mendsh. Le cikli për “Rrugën e Dritës”, një pleksje e 12-rrokëshit me 9-rrokësh, një ritëm melodioz që të bënte të kërceje. Ismaili ishte nën influencën e poezive ruse, sidomos të Isakovskit, mjeshtër i ritmikës.

Po mjaft! – më thoshin shokët.
Duket se e teproja.
Dhe profetizoja atëherë:

Një gjeni ka lindur për Letërsinë Shqiptare!
Ç’kam shokë… m’i përmendnin edhe sot këto fjalë:

-Ore, po e di që paske pasur të drejtë?!
Frederik Dodbiba, i pari…
Po… dhe Jan Haxhijakovi, këto më thotë, sa herë që piqemi bashkë.
Pyeteni, në mos besoni!

2

Vitin tjetër shkollor ma gjetën vegjën. Mes dimri më nisën në Fushëbardhë. Një gropë e thellë, mes malesh.
Po atë ditë të vajtjes sime arrin dhe Sekretari i Dytë i Partisë. S’e di për ç’punë?! Por m’u fut në klasë, të më inspektonte.
I ziu unë! U bëra copash t’i rrëfeja shokut Islam artin tim të mësimdhënies.
Sekretari ngjit tryezës, ulur në stol. Unë, në këmbë, duke punuar. Se si ktheva kokën. Kishte gjetur fletoren time të poezive. Lexonte. Mua nuk m’u drodh qerpiku… as veshi më bëri tërr. Vjershat, që të tëra, i kisha me “partishmëri”…
Kur sosi ora, u çua në këmbë.

Shkruan?! – më pyeti.

Nga pak, – iu përgjigja… si fakir.

Partia ka nevojë për njerëz të talentuar. Po e marr me vete fletoren, t’ua rrëfej shokëve.
E di si i tha ato fjalë?! Ngrehur e ngrehur. Fryrë si gjel. Sikur gjëmonte. Sikur i binte me grusht atij gjoksi…
Unë, gjithë falënderime. Ku kisha parë, i ziu, “kujdes të Nënës Parti”! Në Elbasan, jo njëherë!
Gjithë gëzim atë javë! Shokët që ma kishin në dorë “ymrin”, po shqyrtonin krijimtarinë time.
Dhe zbrita… në fund të javës… Dhe bëra shtatë orë rrugë. Erdha në Gjirokastër. Në Qafë të Pazarit, bëri ballë Ismaili. Shend i madh! Lum që e poqa! S’desha të më largohej, se më kishte marrë malli.
E luta të më shoqëronte deri në “Shesh të Çerçizit”, ku ndodhej Komiteti i Partisë. Për fletore s’i bëra fjalë.
Priti poshtë. Unë u ngjita te shoku Islam. Partiaku rrëmoi nëpër sirtarë e… mezi e gjeti bllokun. Pastaj bëri zakonin. U ngref prapë para se të fliste:

Shumë bukur! Poezi të shëndosha! Me partishmëri!
Kaq qe e gjitha. Unë s’kisha ç’bëja. Zbrita shkallët.
Ismailin e gjeta që priste.
Tek veja, më zhbiroi. Pikasi bllokun.
Rrëfeva edhe unë.

Po pse, nga Islam Shehu prisje vlerësimin e vjershave tuaja?! Ç’është Islami? Çoban dhish është! Ja, ç’është! Bllokun s’ta kanë parë shokët. Ti drejt… e te shoku Islam!
E kam dëgjuar gjithë habi atë protestë, ndaj e mbaj mend fjalë për fjalë.
Ismail Kadareja nuk kishte lindur veç artist… por dhe karakter i veçantë.
Që në moshë të rinisë së hershme s’i bënte përshtypje fuqia e pushtetarëve! Ishte i ndërgjegjësuar që zotëronte forcë talenti. Dhe energjia krijuese nuk pyet as për njëfarë prepotence. Këtë ndërgjegjësim kërkonte ta nguliste dhe ndër shokë.
Gjithë kjo bisedë u zhvillua në rrugë, diku mbi Qafë të Pazarit, ku niste një kënd i prerë mes sheshit të Sokakut të Avokatëve dhe Bibliotekës së Vjetër. Për tryezë na shërbeu një arkë bosh. Aty i mbështetëm blloqet. Së fundi, i këmbyem krijimet. Tek kthehesha për Fushëbardhë, mora me vete dorëshkrimin e Frymëzimeve djaloshare, atë kopje që pa dritë botimi, një vit më vonë, më 1954.

3

Autobiografinë e popullit në vargje nuk mbeti njeri pa e lexuar.
Të tërë e morën si vepër të moshës së pjekurisë. S’do mend… Mesazhet e sakta folkloristike aty të çojnë.
Të pakë janë ata që dinë për “adoleshencën” e Ismailit, sidomos ata që kanë njohur pasionin e tij ndaj këngës popullore.
Ai u mbrujt si “ashik” i folklorit.
Ka qenë ditë pranvere e vitit 1953, kur e gjej të vetmuar në stolat përballë Çerçizit. Me fletë në dorë. Jepte e merrte mbi një këngë të lashtë. Ka qenë ajo e “Luftës së Plevnës”. I kishte ngelur mendja te vargu: Osman Pasha i kalave…
Pa të keq, marr e i them:

Figura të tilla gjen sa të duash në Letërsinë Gojore.
Sido të ishte, vija katër vjet më i madh. Kisha dëgjuar më shumë.
Hapi sytë nën gjyzlykë. Pastaj m’u hodh:

Pa m’i thuaj!
S’deshi të besonte.
Ç’më erdhën ndër mend, ia deklamova. Ashtu, spontanisht.
Ngeli!

-Ma përsërit edhe një herë Amanetin e labit?
Iu binda:

Mike, në të kam për mike,
Kur të vdes, të bëhesh qiqe,
Të më qash brigje më brigje
Dhe me lot, moj, dhe me ligje!

Buçiti… sa mbarova unë…

– Ç’është Amaneti i Shevçenkos para saj?!
Mori e shënoi pastaj. Në atë copëz letër që mbante. Dhe shastiste:

Si, more, si?! Të bëhesh qiqe?! Të fluturosh! Breg më breg?! Të më qash me ligje?! Me poezi elegjiake, domethënë! Në hapësirë? Në përjetësi?! Hajde-hajde!
Përhumbi.
Kur u çua, shpërtheu edhe një herë:

-Ia hodhi labi Shevçenkos. Me siguri!
Kështu pat nisur ajo bisedë për folklorin mes meje e Kadaresë.
-Po pse nuk e ftove një herë në fshat? – do të pyesni ju.
Ç’ta ftoja? Gjirokastra ishte vetë një rezervuar poetik, ku vinin e derdheshin rrjedha poezish nga të katër anët. Prej Labërie do, apo nga Lunxhi. Letërsia Gojore e tërë Jugut, aty mblidhej.
Zuri mirë pastaj… e rrëmonte. Nisnim t’i shoshitnim. Herë piqeshim në një mendje, herë jo.
Mua më pëlqente kënga për Damo Lengon. Atij jo.

Lengo me këllëç në dorë,
Pse s’u vrave ndër sinorë?!

Siç dukej, atë “punën e jukut” e dinte që ahernaj se, më vonë, e tori gjatë e gjerë te Kronikë në gur.
Vazhdoi gjatë ky bashkëbisedim dhe as që do të ishte ndërprerë ndonjëherë, po të mos na dilnin të tjera shtigje e tjera rrugë përpara.
Megjithatë, për aq sa ndenja nëpër fshatra të Gjirokastrës, Ismaili po i mirësjellë ndaj meje. E ku më piqte, harronte të përshëndeste.

-Ç’na solle? – thoshte.
I jepja dhe unë këngë, gjetur nëpër dasma.

Pse s’u bëre diell, të ndrisje dynjanë,
Po u bëre hënë, më more vëllanë!

Kjo ndodhte të dielave në Qafë të Pazarit, ku mblidhej njerëzia mizë lisi.
Ai konkludonte prerazi:

-E kemi pasur dhe ne Parnasin. Si grekët e lashtë. Me siguri. Ja gjurmët!
Dhe e lokalizonte diku, mes Labërisë.
Nën Çipin. Te Buronjat!

4

Adoleshenca e viganit të letrave shqipe u shërben grigjave të krijuesve që nisin rrugën e artit.
Pa shpirt demokratik, pa karakter të fortë, pa respekt ndaj traditës, vatha e letërsisë nuk të qas përbrenda. Kadereja i ri ka qenë i ndërgjegjshëm për gjithë këto.
Dihet që “Rrethi letrar” i gjimnazit “Asim Zeneli” përmblidhte në gjirin e tij mjaft të rinj të dhënë pas letërsisë. Po, ngelën pas… Kjo ndodhi se “të tjerët” mësuan të ecnin me “patericat e partisë”. Kadareja u ngrit në këmbë natyrshëm, siç u ka ndodhur tërë gjenive.
Adoleshenca e Ismailit kaloi në mjerim ekonomik. Një rrogë “ftuesi gjyqi” mbante pesë frymë. Nëna, pa punë. Djaloshi fort mirë mund të shkruante “seri” tekstesh për këngë masash… skeçe e “mbërrokulla” estradash për t’i ndihur shtëpisë. S’bëri nga këto… Prishte dorën ashtu…
Talentit i vuri kimet që më të ri. I shërbeu atij gjithë përkushtim.
Një natë në shtëpinë e tij gjendeshim në një “odá”. Mbas darke, rashë të flija. Po aty.
Ai, jo!
Me dritë ndezur, më dilte gjumi. Ismailin e shihja mbi libra. Përgatiti mësimet, kreu detyrat, përktheu nga rusishtja… duket se edhe krijoi.

Kur shoi dritën, agonte.
Me këtë regjim e vetëperfeksionoi talentin Kadareja. Dhe vinte “i holltë”. I tretur e mjaft delikat. U dhimbsej njerëzve, tek e shihnin…
Dërmoi vërtet trupin, në të ri… Po ja, ngeli energjik, për tërë jetën.
Kur botoi vëllimin e parë, gëzoi Shqipëria e tërë. Qe gjimnazist atëherë.
Për habinë e të gjithëve, Gjirokastra s’i bëri nderime. Kjo ndodhte se djaloshi nuk ua krihte bishtin partiakëve.
Gjërat, më pas, u bënë fare të qarta.
Si mori “pjekurinë” Ismaili, ne mbanim frymën. Pritnim nga po i del bursa. Ata vajtën e ia nxorën në Institutin tonë Katërvjeçar, për Filologji.
U bindërua robi se kishte, atë vit, të drejta studimi sa të doje. Jepte sovjetiku me të dyja duart: në institutin “Gorki”, në “Lomonosov”. Atje dërgonin “të besueshmit”: Fatmir Selitën e Elbasanit dhe gjithë sojin e tij.
Ku jeni ju, ore, që u çuat me “paterica partie”!
Ku je ti, or Kadare?!
Ja që e paskan pasur të drejtë të urtët, kur i thanë ato fjalë të qëlluara:

S’bëhet me të thënë,
Duhet me të dhënë…

Duhet të të jepet pra!
Kësaj sentence t’i shtojmë, detyrimisht, autoperfeksionimin që, fare qartë, na e tregoi adoleshenca e Ismail Kadaresë…

5

Dhe përmendin se i këndoi “partisë” Kadareja!
Pse nuk themi për Virgjilin që hyjnizoi Oktavianin?
Pse nuk zëmë me gojë Firdusiun për Librin e Shahëve?!
Gjenitë ashtu e kanë. Japin një… e marrin njëqind. Ndryshe nuk kishte si denoncohej obskuri Arianit Çorraj, apo shoku Raqi, te Dimri i madh.
Nuk dërmohej… e thërrmohej Diktatura e Kuqe, te Koncerti në fund të dimrit…

 

(Shkëputur nga gazeta “ExLibris”)