Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi është shprehur se “Përgjatë 11 muajve vitit 2019 nga Shqipëria janë eksportuar 20% më tepër produkte bujqësore”.
“Ky investim me ndihmën e skemës së IPARD do të zgjerohet edhe me një hektar tjetër. Serrat e mëdha krijojnë një avantazh absolut. Bashkë me pikat e grumbullimit bëjnë një binom shumë të rëndësishëm për zhvillimin e bujqësisë.
Ne jemi shumë të qartë tek kjo politikë dhe kjo po na shpërblen. Mjafton të shohim shifrat e 11 mujorit 2019, ku kemi eksportuar 20% më shumë prodhime bujqësore se viti i mëparshëm. Ky është një ritëm shumë i lartë rritje. Po të vazhdojmë me këtë ritëm brenda pesë viteve e dyfishojmë eksportin e prodhimeve bujqësore”– u shpreh ministri Çuçi.
Falë mbështetjes së programit IPARD ky investim, do të zgjerohet edhe më tej. Sipas përllogaritjeve pritet që prodhimi vjetor të jetë rreth 150 ton domatina, ndërkohë që kjo sipërmarrje ka marrë edhe çertifikimin Global G.A.P, duke siguruar në këtë mënyrë edhe eksportin në tregjet ndërkombëtare me një çmim më të lartë.