Pasditen e sotme një lajm i hidhur erdhi për klubin e futbollit, pasi FIFA ka bllokuar klubin vlonjat për 3 sesione të mos kryejë merkato, duke mos afruar lojtarë.
Por Sinan Idrizi, administrator i klubit, është i bindur se klubi i Flamurtarit është i lirë të bëjë merkato dhe nuk ka asnjë urdhër që e bllokon.
Sipas “VipSport.al”, Idrizi pohon se klubi po punon dhe ka afruar disa lojtarë. Ai shton se ditët në vijim do të ketë zyrtarizime dhe të gjithë do të shihen në fushë në datën 22 janar kur të rikthehet kampionati.
Po flitet për bllokim merkatoje. Si është e vërteta?
Nuk e di për çfarë bllokimesh flitet, kur unë po bëj merkato për momentin. Jam në hotel me skuadrën dhe po hamë darkën, madje kam edhe të tjerë.
Prisni ndeshjen e parë të janarit dhe shihni se sa të bllokuar jemi,. Aty do të shihni të gjithë lojtarët e rinj që janë aftruar. Nuk e di kush thotë për merkato, sepse unë 5 sekonda më parë afrova madje një tjetër futbollist.
A do të ketë zyrtarizime?
Natyrisht që do të ketë! Flamurtari ka probleme dhe këtë e dimë të gjithë, siç ka çdo klub në Shqipëri. As që më intereson se çfarë problemesh kanë klubet e tjera, sepse shoh klubin tim dhe nuk shoh asnjë problem në merkato.
A keni hasur probleme në regjistrimin e lojtarëve?
Jo, asnjë problem nuk ka pasur. Do të ketë afrime deri në fund dhe kemi thënë se në janar do të bëjmë merkato të fuqishme dhe këtë do të bëjmë. Unë jam duke punuar për merkaton, ju thoni merkato e bllokuar. Nuk ka problem, le të thonë ashtu, unë nuk po e mendoj. (Marrë nga Vipsport.al)