MENU
klinika

"Po nervozohet, por në Kosovë nuk hamë bar'

Gënjeshtar!/ Haradinaj i përgjigjet Ramës

01.01.2020 - 14:49

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se ideja për nismën e quajtur “minishengen” ka ardhur me qëllim të heqjes së taksës ndaj Serbisë.

Sipas tij, është i pakuptimtë një projekt ku Serbia do të përfitonte prej tregut të Kosovës ndërkohë që kjo e fundit nuk do të kishte asnjë përfitim.

Në një intervistë për KosovaPress, Haradinaj i përgjigjet edhe deklaratës së kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, i cili kishte thënë se Haradinaj është gënjeshtar, pasi ky i fundit kishte deklaruar se “minishengeni” po bëhet për heqje të taksës.

Haradinaj, i cili plot gjysmë viti po udhëheqë me Qeverinë duke qenë në detyrë, flet edhe për mundësinë e formimit të institucioneve nga Albin Kurti. Gjithashtu, përgjigjet edhe rreth çështjes së liberalizimit të vizave, gjë për të cilën gjatë gjithë mandatit të tij kishte dhënë data të ndryshme se kur Kosova do të marrë dritën e gjelbër për të lëvizur lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian.

Ramush Haradinaj thotë se përmes “minishengenit” të gjithë ata që kanë investuar në ekonominë e Serbisë, përfshirë Rusinë, do të mund të kishin edhe Kosovën si treg.
Ai thotë se një “minishengen” me kryeqytet Beogradin, është i pakuptimtë për të gjithë shqiptarët.

Kujtojmë se kur Haradinaj pati deklaruar se “minishengeni” do të mundësonte heqje të taksës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e kishte quajtur gënjeshtar.E Haradinaj thotë se Rama duhet të kuptojë që në Kosovë njerëzit “nuk hanë bari”.

“Po ai po bëhet nervoz, ai duhet ta kuptojë që bari nuk hamë në Kosovë, ne me këto tema jetojmë gjithë kohën, ne nuk kemi qare pa i nxjerr në dritë këto probleme, nuk mundemi me i hesht. Imagjinoni unë me hesht presionin për ndarje të Kosovës ose presionin që me i bë Kosovës lojëra të ndryshme që me kyç në ndonjë proces ku Kosova nuk vjen në sistem realisht, në mënyrë që Kosova me heq taksën dhe Serbia të përfitojë prej tregut tonë pa asnjë efekt pozitiv për Kosovën, kjo është e pakuptimtë”, thotë Haradinaj.

Haradinaj thotë se nuk dëshiron të prishë gjuhën e komunikimit, ndërkohë deklaron se shqiptarët kudo janë vëllezër. Ai thotë se mund të bëhet “minishengen” Kosovë-Shqipëri bilateral, por jo një i tillë duke përfshirë Serbinë.

Sipas Haradinajt, taksa në rrugën e kombit duhet të hiqet, që të largohen pengesat dhe të krijohet më shumë infrastrukturë e ndërsjellë.

Por, Haradinaj vlerëson se taksën nuk do ta heq as Qeveria e re e Kosovës.

Ai thotë se Kosova duhet të vazhdojë të respektojë veten, dhe nuk bën të shkojë në përshtatje për siç thotë ai as për hatër të rajonit as bashkësisë ndërkombëtare.

Ndërsa për mundësinë që Albin Kurti të qeverisë me vendin, Haradinaj thotë se nuk e sheh atë të fokusuar me temat qeverisëse.

Ramush Haradinaj, i cili në korrik të vitit 2019 dha dorëheqje pasi u ftua nga Gjykata Speciale, thotë se ky veprim nuk ishte aspak i lehtë për të.
Veçse, sipas tij, ajo dorëheqje ishte porosi që Kosova nuk mund të shantazhohet.

Kryeministri Ramush Haradinaj gjatë gjithë vitit doli me deklarata optimiste se në një afat të shkurtë kohor Kosova do të merrte liberalizimin e vizave.

Madje, jo rrallë herë ai dha edhe data se kur do të ndodh kjo, por viti 2019 u përmbyll pa ndonjë lajm pozitiv se kosovarët do të mund të lëvizin lirshëm në zonën Shengen.

Por, ai thotë se e ka për detyrë të jap deklarata të tilla, pse jo edhe të jap data, që sipas tij, në këtë mënyrë që siç thotë ai të bëjë presion.

Edhe një herë Haradinaj thotë se shpreson që në fund të shkurtit ose në mars 2020 mund të vendoset për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.Haradinaj shton se qasja e BE-së ndaj Kosovës është e pakuptimtë.

Ai thotë se edhe pse kritikohet në vazhdimësi për deklaratat që i jep për vizat, e ndjen obligim që të insistojë dhe kërkojë liberalizimin gjatë gjithë kohës, meqë siç thotë ai Kosova tashmë i ka përmbushur të gjitha kriteret.

Ramush Haradinaj po vazhdon të drejtojë Qeverinë e Kosovës në detyrë, meqë partitë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ende nuk e kanë një koalicion qeverisës përmes së cilit do të krijonin institucionet e reja të ekzekutivit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Kosova nuk trajtohet si shtet i pavarur nga Serbia"

Haradinaj: S’ka nevojë për ‘Mini Shengen’ me kryeqytet Serbinë