MENU
klinika

Në 2020-ën aktakuzat e para

Gjykata Speciale çoi vendin në zgjedhje

01.01.2020 - 16:39

Mbi 250 persona janë ftuar për intervistim nga Gjykata Speciale gjatë vitit 2019.

Organizata e Veteranëve të luftës nuk e di se sa prej të ftuarve janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve e sa në cilësinë e dëshmitarëve. Por në bazë të informacioneve që kanë, theksojnë se ngritja e aktakuzave të para do të ndodh shumë shpejt.

Në një bisedë për Gazetën Sinjali, kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati, thotë se së fundmi ish-pjesëtarët e UÇK-së që janë ftuar nga Specialja kanë shkuar në Hagë në cilësinë e të dyshuarve.

“Mbi 250 persona janë të ftuar nga Gjykata Speciale. Ne nuk e dimë sa prej tyre janë dëshmitar e sa të dyshuar sepse nuk janë lajmëruar të gjithë në organizatën tonë. Por, ditëve te fundit Gjykata Speciale ka ftuar më shumë të dyshuar. Kemi pritur ngritjen e aktakuzave brenda këtij viti, por aktakuzat e para pritet të ngriten shumë shpejt, kjo është reale.“, tha Gucati.

I pyetur se sa nga të ftuarit janë burra e sa gra, ai thotë se numri i grave të intervistuara nga Gjykata Speciale është më pak se dhjetë.

Gjykata-Speciale-hage-konica.al

“Pothuajse të gjithë janë burra, numri i grave është shumë i ulët. Pak gra janë të ftuara nga Gjykata Speciale”, tha Gucati.

Gjykata Speciale çoi vendin në zgjedhje.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, është profil më i lartë i politikës kosovare që u ftua në cilësinë e të dyshuarit nga Gjykata Speciale. Madje, për shkak të kësaj ftese ai dha dorëheqje nga posti i kryeministrit duke çuar vendin në zgjedhje.

Ramush Haradinaj ishte mbrojtur në heshtje.

Pas tij, Specialja e ftoi edhe ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Edhe pse e konfirmoi ftesën, Veseli asnjëherë nuk ka treguar nëse është ftuar në cilësinë e dëshmitarit apo të dyshuarit. As Zafir Berisha nga Nisma Socialdemokrate nuk ka treguar se në çfarë cilësie është i ftuar.

Në cilësinë e të dyshuarit është ftuar edhe Jakup Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, aktualisht kryetar i Këshillit Kombëtar në partinë Nisma Socialdemokrate. Njëjtë sikur Haradinaj edhe Krasniqi ishte mbrojtur në heshtje, muaj më parë në heshtje ishte mbrojtur edhe ish-komandanti i UÇK-së, Sami Lushtaku.

Gjykata Speciale i ka dërguar ftesë edhe deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi. I njëjti është ftuar në cilësinë e të dyshuarit.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj, ka bërë të ditur se është ftuar nga Gjykata Speciale në cilësinë e dëshmitares. Ajo u intervistua në Prishtinë për shkak të mugesës së vizës. Si Kadrijaj, në Prishtinë u intervista edhe ish-deputetja e PDK-së, Safete Hadërgjonaj, në cilësinë e dëshmitares.

Në mesin e të ftuarve nga Gjykata Speciale është edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla, Sokol Bashota, Lahi Ibrahimaj, Bislim Zyrapi, Smajl Latifi, Bedri Zyberaj, Alush Shala e shumë të tjerë.

Ndonëse Specialja ka intervistuar shumicën e anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe të komandantëve të Zonave Operative. Të vetmit që nuk janë ftuar ende në Hagë janë tre nga shtatë komandatët e Zonave Operative të UÇK-së dhe komandanti i përgjithëm i UÇK-së. Bëhet fjalë për komandantin e Zonës Operative të Pashtrikut, Fatmir Limaj, ai i Zonës Operative të Shalës, Rrahman Rama dhe ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, ashtu sikurse edhe komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Agim Çeku,

Ndërsa, Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se do t’i përgjigjet pozitivisht thirrjes së Gjykatës Speciale për intervistim, në rast se i vjen një e tillë.

Para gazetarëve, Thaçi ka thënë se është për t’u lavdëruar bashkëpunimi i luftëtarëve me dhomat e specializuara. Kosova, sipas presidentit nuk ka asgjë për të fshehur.

“Nëse më vjen ftesa, natyrisht se do ti përgjigjem është jashtëzakonisht për t’u lavdëruar bashkëpunimi i të gjithë bashkëluftëtarëve me dhomat e specializuara, me çka e vlerësoj me mirënjohjen më të lartë, sepse Kosova nuk ka asgjë për të fshehur, ne të gjithë jemi të barabartë para ligjit”, ka thënë ai.

Të gjithë të ftuarit kanë deklaruar se lufta e UÇK-së është e pastër dhe kjo sipas tyre do të vërtetohet edhe nga dhomat e specializuara në Hagë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Thaçi dekreton datën

Kosova në zgjedhje më 6 tetor