Përfaqësuesi Special i Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, sot në Beograd është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç.
Grenell para syve të Vuçiç ka bërë thirrje që Serbia të ndalë fushatën e egër kundër pavarësisë së Kosovës, ndërkohë ka thënë se Kosova duhet të heq taksën.
Në një konferencë të përbashkët për media, Grenell ka thënë se nuk ka ndonjë plan apo agjendë të caktuar, por ka ardhur në Prishtinë dhe Boegrad për t’i shtyrë përpara dy palët dhe për t’i inkurajuar të arrijnë atë që dëshirojnë, dhe mbi të gjitha për të shtyrë Prishtinën dhe Beogradin të punojnë në ekonomi dhe të krijojnë mundësi për njerëzit e rinj.
Ndërkohë presidenti i Serbisë ka folur rreth problemeve që i ka shkaktuar taksa duke thënë se kanë humbur nga 1 milionë çdo ditë që nga marrja e atij vendimi.
Kreu i shtetit serb gjithashtu ka thënë se ka diskutuar me Grenell edhe çështjen e hekurudhës Beograd-Prishtinë, por ka thënë se është e rëndësishme që të hiqet taksa, pasi sipas tij s’ka sens të ketë një hekurudhë mes dy shteteve pa pasur se çfarë të transportosh.
Kur ka folur për marrëveshjen ajrore Prishtinë-Beograd, Vuçiç ka thënë se është e nevojshme të arrithet edhe një marrëveshje mes drejtoratit të Aviacionit Civil dhe KFOR-it dhe adoptimi i një marrëveshje të tillë në Kuvendin e Serbisë.