Është raportuar se sot Glauk Konjufca pritet të japë dorëheqje nga posti i kryeparlamentarit. Por kjo nuk do të ndodhë. Të paktën kështu thotë zyra për media e Lëvizjes Vetëvendosje.
Në një përgjigje për Express kjo zyrë ka thënë se Konjufca do të vazhdojë ta mbajë postin që ka marrë para pak kohësh.
“Kjo gjë nuk është e vërtetë, nuk ka dorëheqje”– kanë thënë shkurt zyrtarët nga zyra për media e Vetëvendosjes.
Reagimi vjen pas lajmit se në Vetëvendosje sot pritet të ketë një kthesë të madhe sa i përket qëndrimit për kryeparlamentarin.
Sipas këtij lajmi është vet Glauk Konjufca që sot do ta paralajmërojë dorëheqjen, duke iu dorëzuar kështu presionit dhe kërkesave të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës i ka dhënë afatin e fundit Vetëvendosjes, që deri të dielën ta pranojë ose refuzojë ofertën e saj, ku përfshihet që kryeparlamentari t’i takojë asaj deri në zgjedhjen e presidentit, ku më pas kjo pozitë do t’i kalojë automatikisht Vetëvendosjes.