Prestigjiozja britanike “The Guardian”, vlerëson pozitivisht veprën “Kukulla”, të Kadaresë. Sipas shkrimit botuar në këtë gazetë, vepra cilësohet si një kujtim elegant, nostalgjik për një vendlindje të humbur prej kohësh. “Kukulla”, përkthyer në gjuhën angleze, do të publikohet më 23 janar.
Në pamje të parë, romani autobiografik i Ismail Kadaresë, mund të lexohet si një memorial elegant, paksa i hidhur për të rriturit, i prekur me nostalgji për një vend që ka kohë që ka humbur, – shkruan kështu, “The Guardian”.
“Kukulla” mbart plot detaje imponuese të jetës, në një Shqipëri në ndryshim. Një nga tregimet më të befasishme është ajo e ditës, në vitin 1953, kur prezervativët arritën për herë të parë në farmaci: “Kishte udhëzime kontradiktore që i lejonin dhe i ndalonin. Dyshohej, se ata mund të ishin prova për të identifikuar çdo dobësim të luftës së klasave pas vdekjes së Stalinit. Dhe pas disa ngurrimeve nga Komiteti i Partisë për këshillimin e komunistëve, për të shmangur farmacinë dhe duke i lënë ato copa gome për borgjezinë gjithnjë e më të shkatërruar, gjithçka u qetësua”.
“Kukulla” është plot situata të tilla, krahas shumë shqetësimeve familjare të Kadaresë, me rrënjët folklorike të jetës moderne, le të themi ose me absurditetin e politikës shqiptare. Sidoqoftë, vëzhgimi prekës, ironia e hidhur dhe frika e theksuar që përshkojnë marrëdhënien me nënën e tij, një grua e tmerruar që ndihej si “e padenjë”, kur i biri arriti famën që dëshironte, janë ato që dominojnë këtë studim interesant të një dashurie të vështirë.