Diplomatët evropianë janë gjithë kohën duke u përpjekur të ulin tensionet midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara pasi SHBA vrau një komandant të lartë ushtarak iranian në Irak javën e kaluar, duke shtuar frikën se mund të luftës gjithëpërfshirëse në Lindjen e Mesme.
Irani u zotua për hakmarrje pasi Soleimani u vra në një sulm me dron në Bagdad, dhe të dielën njoftoi se do të shkelte kufizimet për pasurimin e uraniumit që ishin negociuar në bazë të marrëveshjes bërthamore të 2015, nga e cila SHBA u tërhoq nga viti 2018.
Menjëherë pas njoftimit të Iranit, udhëheqësit e Francës, Britanisë dhe Gjermanisë i bënë thirrje Teheranit të përmbahet “nga veprime të mëtejshme të dhunshme”.
Në një deklaratë të përbashkët, kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri Britanik Boris Johnson u bënë thirrje të gjitha palëve të përfshira të ushtrojnë “përmbajtje dhe përgjegjësi maksimale”.
Tre fuqitë evropiane theksuan gjithashtu gatishmërinë e tyre për të biseduar drejtpërdrejt me Iranin.
“Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë angazhimin tonë me të gjitha palët në mënyrë që të kontribuojmë në uljen e tensioneve dhe rivendosjen e stabilitetit në rajon,” thuhet në deklaratë.
Ata priten të diskutojnë lidhur me situatën të hënën.
Shefi i politikës së jashtme të BE, Josep Borrell, ftoi Ministrin e Punëve të Jashtme iraniane Javad Zarif në Bruksel për të diskutuar per krizën.
Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas tha në një deklaratë të dielën se Evropa kishte “kanale të besueshme komunikimi” për të gjitha palët.
Fuqitë evropiane gjithashtu duket se nuk janë dakord me Trump në lidhje me kërcënimin e tij për vendosjen e sanksioneve në Irak pasi parlamenti i saj votoi të dielën për t’i dhënë fund pranisë ushtarake amerikane në vend.
Fuqitë e tjera ndërkombëtare kanë shprehur shqetësimet e tyre për rritjen e tensioneve.
Turqia dhe Arabia Saudite, thanë përmes ministrave të tyre të jashtëm të hënën, se ata nuk duan një përshkallëzim të tensioneve ndërsa ambasadorët e NATO-s do të mblidhen në Bruksel për një takim urgjent.
Kina ka kritikuar Shtetet e Bashkuara për acarimin e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të përmbahen, për të siguruar paqen dhe stabilitetin.
Kryeministri japonez Shinzo Abe gjithashtu bëri thirrje për paqe, duke u bërë thirrje kombeve të përfshira të bëjnë përpjekje diplomatike për të lehtësuar tensionet.
Kremlini tha të hënën se Presidenti rus Vladimir Putin do të diskutojë për krizën me Merkel kur të dy të takohen në Moskë këtë javë.
Gjermania dhe Rusia janë ndër fuqitë botërore që janë përpjekur të shpëtojnë marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.
Përkthyer dhe përshtatur nga NBCN news/ konica.al