Departamenti i Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë publikoi një studim të ri përsa i përket rritjes së konkurrencës në tregun bankar. Gjithashtu ndikon edhe në forcimin e stabilitetit të sistemit.
Përfundimet e këtij studimi na bëjnë me dije se politikat që shtyjnë bankat drejt një konkurrence më të madhe nuk dëmtojnë aftësinë paguese të bankave. Rrjedhimisht, forcimi i konkurrencës forcon shëndetin dhe stabilitetin e sektorit bankar.
Ndër të tjera, një nga objektivat e këtij studimi ishte ballafaqimi me teorinë se, pasi arrihet një prag i caktuar, një rritje e mëtejshme e konkurrencës priret të nxisë stimujt e ndërmarrjes së rrezikut të tepërt dhe mundësinë e dështimit të bankës.
Sipas studimit, zhvillimet e lidhura me rritjen e konkurrencës janë relativisht vendimtare për rritjen e stabilitetit bankar, në veçanti në periudha krize, pasi edhe efekti i tyre mbështetës është gjetur se është i rëndësishëm. Ky ndikim pozitiv është konstatuar si për bankat e vogla, ashtu edhe për ato të mëdha.
Kriza e nisur pas vitit 2008, solli një ndikim të ndjeshëm në strukturën e sektorit bankar në shumicën e vendeve të Europës. Me qëllim krijimin e bankave më të forta, autoritetet rregullatore nxitën një proces konsolidimi përmes shitblerjeve dhe bashkimeve mes bankave të ndryshme.
Pjesë e këtij procesi ishte edhe trysnia e ushtruar ndaj grupeve të mëdha bankare që patën probleme për të dalë nga tregjet periferike dhe për të forcuar aktivitetin në tregjet e tyre tradicionale. Ky proces përfshiu edhe Shqipërinë. Numri i bankave tregtare është ulur në 12, nga 16 që ishin tre vjet më parë.
Efekti i këtij procesi në konkurrencën brenda tregut ngelet për t’u parë gjatë viteve në vazhdim. Megjithatë, në rrafshin teorik, krijimi i bankave më të mëdha dhe më të shëndetshme mendohet ta ndikojë pozitivisht konkurrencën në tregun bankar.