Për Kishën Katolike, dekada e re nuk ka nisur ekzaktësisht me këmbën e djathtë, sepse një dorë e majtë duket se është bërë shkak që një mori kritikash të vërshojnë drejt Papa Françeskut.
Ditën djeshme, në një video të publikuar nga CNN, Papa shihet në sheshin e Shën Pjetrit teksa përshëndet besimtarët në prag të ndërrimit të viteve.
Deri këtu gjithçka në rregull, deri në momentin që një grua e kap atë nga dora dhe me forcë e afron nga vetja për t’i folur.
Në atë moment, Papa e qëllon në dorë dhe i bërtet me inat, teksa largohet prej saj.
View this post on Instagram
Si e shoh unë veten këtë vit? #videooftheday #2020 #iconstylealbania video credits @cnn
Video në fjalë, siç mund të merret me mend, bëri menjëherë xhiron e internetit duke shkaktuar zemëratë në rrjetet sociale për sjelljen aspak “papërore”.
Në kuadër të kritikave të shumta, ditën e sotme ka reaguar dhe vetë i zoti i punës, Papa Françesku.
Në lutjen e ditës së sotme në sheshin e Shën Pjetrit, Papa kërkoi publikisht falje. “Kërkoj ndjesë për shembullin e keq.
Ndonjëherë dhe unë e humbas toruan!”-mësohet të ketë thënë kreu i Kishës Katolike, i cili është padyshim një prej figurave më karizmatike që Vatikani ka pasur ndonjëherë.
Mjafton të kujtojmë videon e një viti më parë, kur ai i heq dorën besimtarëve sapo ata afrohen që ta puthin…
E shihni për çfarë e kemi fjalën?!