MENU
klinika

Gjaku i përzier i shqiptarëve

Kur Dora d’Istria pikëtakonte Bubulinën

22.01.2020 - 13:29

     Dora d’Istria, emri i vërtetë i së cilës ishte Helena Gjika, nuk e ka vizituar asnjëherë Shqipërinë, edhe pse ajo jetoi jashtëzakonisht e lidhur edhe me botën shqiptare, jo vetëm me studimet e saj të drejtpërdrejta mbi kulturën dhe historinë e shqiptarëve, por dhe me pikëtakimet e saj me shqiptarët e diasporës, veçanërisht në Greqi e Itali./Konica.al

Letërkëmbimet e saj me De Radën, Kamardën, Zef Seremben e shumë personalitete të tjera, e veçanërisht libri i saj mbi udhëtimin e famshëm në Greqi, Udhëtim në Rumeli e Greqi, dëshmojnë për atë dëshirë të madhe të princeshës rumune me origjinë shqiptare për të pikëtakuar shqiptarët dhe për të njohur nga pranë jetën, gjuhën dhe traditat e tyre si dhe për të përcjellë në botën evropiane historinë e lashtë të këtij populli autokton. Madje si shumë intelektualë të tjerë, edhe ajo ishte frymëzuar nga udhëtimet e lordit anglez Byron dhe përshkrimit të mrekullueshëm që i bënte krenarisë dhe virtuteve shqiptare në kryeveprën e tij Shtegtimet e Child Harlod. Vargjet e kësaj poeme të gjatë ishin vërtet të magjishme, siç e shkruan dhe vetë ajo në shkrimet e saj të mëvonëshme.

Në kohën që Dora d’Istria ndërmorri këtë udhëtim, në korrik të vitit 1862, ajo ishte në Francë një nga intelektualet më në zë, që shpesh e gjeje në esetë e saj të botuara në revistën më të njohur franceze Revue des Deux Mondes, (Revista e Dy Botëve).  Nga gratë e pakta që botonin në këtë revistë ishin vetëm tre: George Sand, Madame de Stael dhe Dora d’Istria, e cila kishte botuar një sërë esesh rreth folklorit shqiptar, serb, grek, apo botime historike mbi Francën, etj. Tashmë objekt i studimit të saj do të ishte Greqia, ku kishte mjaft të njohur e ku gjatë këtij udhëtimi, në Athinë, atë e shpallën «Qytetare Nderi» të qytetit. Pra, ajo ishte një intelektuale pa paragjykime që e vlerësonte artin dhe historinë greke. Por njëkohësisht, ajo ishte dhe një udhëtare e Evropës, në kohën kur gratë ishin të pakta për të guxuar aventurën e udhëtimeve të rrezikshme dhe të largëta. Richard Cortambert, gjeograf francez dhe shkrimtar, na sjell një dëshmi të saj në librin e tij Udhëtaret e famëshme, ku në kapitullin për Dora d’Istrian, ai shton fjalët e saj: ”Kam menduar gjithnjë se gratë mund të udhëtonin dhe të përmbushnin detyrën ashtu si dhe shkencëtarët-udhëtarë. Në fakt, në letërsi, gruaja ka aftësi të veçanta. Më mirë sesa burrat, ajo di të vëzhgojë zakonet dhe jetën intime të kombeve. Një fushë e madhe mbetet e hapur për udhëtimet e saj. Por që të eksplorojë, zakonisht asaj i mungon njohja e gjuhëve dhe e historisë, si dhe mundësia për t’iu përshtatur optikave të ndryshme të kombeve dhe të përballojë lodhjet e mëdha. Në shtëpinë tonë flitej veçse frëngjisht. Zoti Papadhopulos, që në kohën time të hershme, më ka mësuar greqishten, e cila në Orient ka një rëndësi të madhe, siç ka frëngjishtja në Perëndim… Pasionin tim për historinë, zoti Papadhopulos e ka konstatuar që në fëmijërinë time. Dhe ky pasion u rrit gjithnjë e më shumë. Sa më shumë udhëtoja, aq më shumë pikasja se ishte e pamundur ta njohësh një popull nëse nuk njeh historinë e tij dhe shkrimtarët e tij… Në Greqi kam përshkuar me kalë vëndet e vetmuara të Peloponezit. Në Zvicër kam jetuar nëpër male, që të mund të kisha përfytyrime të qarta të jetës malsore. Në Itali u lidha me njerëz të të gjitha besimeve dhe në të gjitha kushtet, e sa herë më paraqitej rasti, unë pyesja me të njëjtën kureshtje si peshkatarin ashtu dhe politikanin. Kur dukej sikur shëtisja për pushime, unë në fakt vëzhgoja përreth, çka është e nevojshme për ta parë realisht jetën e një vendi»…

Hipur mbi kalë, në atë karvan të drejtuar nga G. Papadhopulos, profesori i Shkollës së Arteve të Bukura dhe anëtari i Shoqatës Arkeologjike të Athinës, Dora d’Istria, përshkoi Tebën, duke marrë rrugën drejt Eleusis, një vend i shenjtë i kultit të Demetrës. Në këtë udhëtim, sa të vështirë, aq dhe romantik për të, rrugës ajo kaloi në fshatin e Mandra-s, të banuar nga shqiptarët. “Në Mandra, si dhe në pjesën tjetër të mbretërisë, – shkruante ajo – hapja e shkollave greke tenton t’i helenizojë shqiptarët, këtë racë energjike, hijerëndë dhe puntore, tepër të lidhur me luftën dhe bujqësinë. Ndërsa fshatrat grekë, si në shumë zona të tjera, janë veçse një grumbull kasollesh prej balte…” Nga Mandra, udha i çoi drejt fshatit Vilari dhe në Paleo-Kundura. “Kohë më kohë, shqiptaret, të cilat nuk e kishin humbur bukurinë e racës së tyre, kalonin tani me gomerët e ngarkuar me degë pemësh… Rrethinat e Tebës, në përgjithësi janë të populluara nga shqiptarët, të cilët janë vendosur në fushë… por shqiptarët e ruajnë ende gjuhën e tyre”. Karvani i tyre ndaloi në Mazi, sepse Dora duhej të takonte një shqiptare, më të pasurën e fshatit, një grua të bukur e shtatlartë që quhej Hiera. Kishte një porosi për të, por ajo u çudit që gruaja ishte e trishtë dhe rënkonte nga dëshpërimi… “Qyteti i Poros, – shkruante ajo, – është i banuar nga 4500 shqiptarë dhe është ndërtuar mbi një shkëmb të madh, shpesh i përmbytur nga dallgët, shkëmb që zgjatet në ishull si një e dalë tepër e ngushtë në det. Porti i madh dhe i bukur që ka ky ishull, ku ngrihet tempulli i Poseidonit, rrënojat e të cilit duken ende lart në mal, e ka bërë Poros-in bazën e vërtetë detare të Greqisë.”

Kur shkoi në Argos, ajo shënonte në bllokun e saj se «banorët e Argos janë pothuaj shqiptarë, por meqë gjuha shqiptare nuk mësohet në shkolla që nga themelimi i mbretërisë greke, ata po njësohen me helenët». Madje ajo shtonte se «Argosi para Revolucionit banohej nga 10 mijë shqiptarë», dhe se «pas luftës së Pavarësisë, pothuaj gjithë banorët janë arvanitas». Pranë Argosit, rrugës për në Nafplio, (Nauplie), ajo ndaloi në Mikenë, ku gjëndeshin rrënojat dhe muret e mëdha të qytetërimit të vjetër grek. Të shumtë ishin udhëtarët evropianë, arkeologë, shkencëtarë e studjues të historisë, që konstatonin dhe admironin artin klasik grek dhe kryeveprat e artistëve të mëdhenj të Antikitetit, vlerën e madhe të një kulture aq të vjetër. Nafplio buzë detit, me kështjellën e madhe veneciane të mbrojtur aq shumë nga shqiptarët e Nafplios, ishte befasues për çdo të huaj. Ishte hera e parë që Dora gjëndej në një vënd të tillë epik. Plazhi ku u vranë mijra shqiptarë, i cili që atëherë e deri më sot quhet «Plazhi i arvanitasve». Por Dora d’Istria ngutej në fakt të shkonte sa më parë në Misolongj për të vizituar varrin e suliotit të famshëm Marko Boçari, emri i të cilit ishte bërë mjaft i njohur nga Lord Byron, vargjet e Victor Hugo si dhe shumë autorëve të tjerë të Evropës. Duke shkuar në varrin e tij, në librin e saj, ajo kujtonte njëkohësisht himnet e thurrura nga Byron-i dhe qindra poetë të kontinentit të vjetër që i kënduan heroizmit të tij dhe shumë arvanitasve të tjerë, heronj të Revolucionit, si Kollokotroni, Karaiskaj, Xhavella, Andruçi, admirali Miauli, Tombazi e të tjerë. Pas kthimit nga Suli, ajo do të shënonte në dorëshkrimin e saj:  «Suli, lavdia e Shqipërisë së krishterë, bijtë e të cilit hynë në ushtrinë franceze dhe rivalizuan për trimëri me ushtarët e Napoléon-it në Champ-Aubert, në Montmirail dhe në Montereau…» Këtë krenari shqiptare, Dora do ta demostronte gjatë gjithë jetës së saj dhe kudo në pikëtakimet intelektuale, artikujt dhe studimet e saj. Ishte një rikthim në origjinën familjare, kur të parët e Gjikajve, të ardhur nga Epiri i Shqipërisë në Konstantinopojë, mbanin dhe mbiemrin «Albanese»./Konica.al

 

Kur Dora d’Istria pikëtakonte Bubulinën

 

Në një nga ato ditë të udhëtimit të saj, Dora do të ndërmerrte një itinerar të veçantë: do të shkonte në gjurmët e Bubulinës, të pikëtakonte atë figurë që e frymëzonte në veçanti e për të cilën kishte shkruar në disa artikuj j. Ishte rasti të shkonte në ato gjurmë heroike dhe të njihte më nga afërt shpirtin e asaj gruaje që shumë shpejt ishte bërë e njohur në Evropë. Madje ajo kishte folur për të dhe në librin Gratë e Orientit. Hipur në anijen e quajtur Othon, (me emrin e mbretit të parë të mbretërisë greke, të caktuar nga Fuqitë e Mëdha), ajo tashmë i drejtohej ishujve Hidra e Specia, dy ishuj me ngulimet e vjetra shqiptare që nga shekulli XIV, nga ku lindën shumë heronj që aq shumë i dhanë Revolucionit grek, duke i sulmuar osmanët me anijet e tyre në detrat e Greqisë, dhe së pari në Argos,  Nafplio, gjirin e Salaminës, e kudo. Dhe Bubulina ishte heroina e detit, heroina për të cilën kishte shkruar dhe poetesha e udhëtarja franceze Adelaide Dufrénay, autorja e librit Bukuritë e Greqisë. «Në orën 7 të mëngjesit, – shkruante ato ditë Dora, – anija jonë «Othon», ndaloi para ishullit Specaj, i cili si dhe Hidra e Poros banohet nga shqiptarët e helenizuar. Hidriotët, i kanë lëvizjet e tyre të prera dhe në sytë e banorëve mund të lexosh pasionin e krenarisë shqiptare. Miqësinë ata e çojnë gjer në fanatizëm, gëzimin e çojnë deri në delir, zemëratën gjer në tërbim dhe mllefin gjer në një ndjenjë të pamëshirëshmeKur shpërtheu Revolucioni, ditën e «Lajmërimit të ngjitjes në qiell të Jezusë» të vitit 1821, Bubulina ngriti flamurin nacional mbi anijet e saj. Tri nga anijet, ajo i nisi në Epidor dhe në Melos, ndërkohë që vetë, me anijen më të madhe të saj, e shoqëruar nga 139 marinarë dhe dy djemtë e saj, Jani dhe Niko, ajo u nis drejt Nafplios». Pak kohë më parë, Dora D’Istria kishte lexuar dhe kujtimet e kolonelit Voutier, një francezi që kishte përjetuar një dramë shpirtërore dhe donte t’i jepte fund jetës së tij, por kur nisi lufta e grekëve për Pavarësi, ai vendosi të shkonte mes tyre për të patur një vdekje të denjë. Pikërisht në Greqinë e Revolucionit, në vitet 1822-1823, ai kishte luftuar krahas Marko Boçarit në Arta, apo në rrethimin e parë të Misolongjit nga ushtria otomane. Pikërisht atëherë, ai kishte patur rastin të kishte mike një luftëtare si Bubulina. «Një francez, koloneli Vautier, i cili e pa Bubulinën gjatë rrethimit të Nafplios, – shkruante Dora në librin e saj, – tregon në kujtimet e tij se «ajo ishte ende e bukur dhe se sjelljet e saj ishin të drejtpërdrejta. Ajo qesh me gjithë zemër kur ne i themi se sa shumë flitet për të në Paris, ku e tregojnë ashtu me pisqollat e shpatën e madhe të saj. Bubulina nuk është një amazonë, por ajo ka ndjenja bujare e të flakta patriotizmi, dhe është në vazhdën e traditës së femrave të Spartës»… Zbarkimi i Doras në Specaj ishte emocionant për të, pasi ky ishull, me shkëmbenj të lartë dhe banorë që gjuhë amëtare kishin shqipen, ishte bërë sinonim i emrit të Bubulinës. Aty ishte shtëpia e saj, varri i saj dhe legjendat e saj. «Në Specaj, kullat e bardha pa çati, që zbresin nga kodra drejt bregut, – shkruante ajo, – janë të rrethuara me kopshte… Në fillim ndalova tek njerëzit e familjes së Bubulinës, ku u prita nga një grua që mbante një zi të madhe dhe që dukej se ishte shumë e bukur. Kur morrëm të pijmë kafetë dhe të shijojmë likotë e ëmbla, ajo i tha të birit që të na çonte në shtëpinë e Bubulinës. Hyra në një sallë të madhe të rrethuar me mindere. Zoti Niko Boboli, djali i Bubulinës, mbante një veshje të banorëve të këtyre ishujve: fesin, një xhaketë të shkurtër, pantallona të mëdha blu e me shumë pala dhe një brez të kuq në mes. Edhe gruaja e tij ishte e veshur me kostumin e ishullit. Koka e saj ishte pështjellë me një shami të ngjyer lehtë në të verdhë e të kapur në mjekër, dy cepat e së cilës i ishin lidhur nga pas. Boboli më premtoi se do të vinte në Athinë dy ditë më pas, për të më treguar mbi jetën e nënës së tij si dhe të më sillte që të shikoja kafkën e saj. I ati i tij Boboli, i cili ishte vënë në shërbim të Rusisë, ishte vrarë nga francezët në fushatën ushtarake të vitit 1812. Meqë kishte shumë pasuri, sulltani e kuptoi se vdekja e tij do t’i krijonte rastin që të vinte dorë mbi pronat e tij, por vejusha e tij, Bubulina, shkoi t’i mbronte të drejtat e saj në Konstantinopojë, ku ambasadori i Rusisë, konti Stregonof, një diplomat shumë i shquar, të cilin e kam njohur në Petersburg, e mori atë në mbrojtje. Kur u kthye në Specaj, Bubulina nuk gjeti qetësi. Marinarët e Specaj dhe Hidrës, shumë të bindur në det, në tokë ziheshin mes tyre, duke treguar kështu origjinën shqiptare. Gjaku i nxehtë i shqiptarëve, i çonte ata në zënka të përjetëshme. Dhe Bubulina nuk ishte më e pakët se bashkëpatriotët e saj në këtë drejtim. Edhe ajo u ngatërrua me grindjet e tyre, duke marrë armët për të mbrojtur miqtë e saj. Qeveria turke e thirri përsëri në Konstantinopojë, por ambasada ruse e mori sërish në mbrojtje të saj…»

Nga dorëshkrimet e Dora d’Istrias ndihet qartë se ajo ka dëshirë të tregojë për jetën e kësaj heroine, e denjë për romane; të tregojë për aventurat e saj, angazhimin në Revolucionin grek dhe betejat e panumurta që zhvilloi në det kundër osmanëve, ku u vra dhe një nga bijtë e saj. Ajo nuk mungoi të tregojë dhe për vrasjen e saj, ashtu siç e dëgjoi nga speciotët e hidriotët, apo vetë djali i saj, jo në një betejë, siç mund të kishte ndodhur gjatë gjithë atyre viteve lufte, por në ballkonin e shtëpisë së saj, pas Revolucionit, në ditët e para të lirisë, duke i dhënë strehë vajzës që kishte rrëmbyer djali i saj dhe ku një plumb i njerëzve të asaj vajze e kishte marrë mu në ballë. Në Athinë, ashtu siç e kishin lënë, Niko Boboli erdhi ta takonte. Me këtë rast ai i solli dhe kafkën e të ëmës, meqë Dora kishte ngulur këmbë që ta shikonte nga afër. Dhe ja, tani ajo e kishte në dorë kafkën e asaj gruaje që kishte hyrë në legjendë. «Kafka e saj ishte e vogël dhe me një formë të rregullt, – shkruan ajo në librin e saj, – kur Boboli erdhi të ma tregonte në Athinë, e pyeta nëse ia kishin kthyer pasuritë që ajo i kishte vënë në shërbim të Greqisë. Por ai mu përgjegj me trishtim se familja e tyre kishte rënë në mjerim, pasi qeveritarët që zevëndësonin njëri-tjetrin, asnjëherë nuk kishin menduar për këtëNë orën nëntë të mëngjesit ne kaluam para ishullit të Hidrës. Qyteti me shtëpitë e tij, të cilave thatësira dhe klima u kishte dhënë një bardhësi të përherëshme, mbartnin gjithashtu dhe mullinjtë me tetë krahë, të cilët ngriheshin në një lartësi të madhe. Një amfiteatër i vërtetë dukej mbi manastirin që kishte një pamje madhështore. Atje më treguan shtëpinë katrore me kanate jeshile që e mbronin nga era: ishte shtëpia e navarkut Miauli. Më treguan pastaj njëra pas tjetrës shtëpitë e Konduriotit dhe të prijësave të tjerë, të cilët bënë sakrifica bujare me pasurinë e tyre për Greqinë e dashur».

Vallë kështu e kishte gjetur atë varr dhe Dora d’Istria?…

Flamuri i saj me shqiponjën mbi një fushë të kuqe, të shndruar më pas në blu, rrethuar nga një shirit i kuq, valëvitet tashmë majë çatisë së shtëpisë. Vite me rradhë ai flamur ishte ngritur mbi anijen e saj, nga një betejë në tjetrën, nga Argosi, në brigjet e Patras, Prevezës, Akarnisë e brigjeve të Peloponezit. Ai flamur e kishte çuar në Tripolica ku do të takonte trimin tjetër arvanitas, legjendarin Kolokotroni, të cilin do ta dashuronte që ditën e parë që do ta takonte./Konica.al

 

Luan Rama

 

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit