MENU
klinika

Noli, Shqipëria, Kombi

Kush e donte si ai, afrimin e Shqipërisë me botën?

06.01.2020 - 13:11

      Një prej personaliteteve më të spikatura të kombit shqiptar, figurë e madhe dhe e shumanshme e letërsisë, kulturës, jetës fetare dhe politikës shqiptare, Fan Stilian Noli do të lindtte më 6 janar 1882. Noli njihet si njeriu i alternativave, kontradiktave, tensioneve të brendshme, që i kapërceu me përkushtimin e një burri të vërtetë shteti.

Noli u lind në Qytezë, fshat i banuar nga shqiptarë në rrethin e Edrenesë. Vitet e luftës së përbashkët krahas forcave më të përparuara të shoqërisë shqiptare e bënë Nolin demokratin revolucionar dhe mendimtarin e shquar, ndërsa vepra e tij, shënoi kulmin e mendimit shoqëror dhe krijimtarisë poetike shqiptare.

Noli nuk ishte trupmadh, madje ishte i shkurtër dhe kishte çehre të vrarë. Një herë, duke e krahasuar veten me Faik Konicën, të gjatë dhe bukurosh, Noli tha: “Unë dukem si Sanço Panço, ndërsa Konica duket si Don Kishoti”. Konica kujdesej gjithmonë për veten dhe vishte zakonisht rroba të çelura. Ai shfaqej shpesh me kostumin shqiptar “fustanella”, Noli vishte petkun e errët të klerikut. Në përgjigje të librit të Nolit “Bethoveni dhe Revolucioni Francez”, George Bernard Shou i shkruante: “Ju keni ngatërruar vokacionin, kur hytë në Urdhrin e Shenjtë. Ky libri juaj nuk është as lutje e priftit, as hagjiografi [literaturë mbi jetën dhe legjendat e shenjtëve]; është vepra e një kritiku dhe biografi të dorës së parë. E lexova deri në fund me kënaqësinë më të madhe, duke qenë vetë njohës i muzikës, kritik dhe artist-filozof nga profesioni”. Është me  pikëpyetje nëse Noli e ka menduar, se do të ishte më mirë të qe bërë shkrimtar, sesa prift. Po të arrish ta kuptosh se shqiptarët në Amerikë përballeshin me nevojën për të kryer pagëzimet, martesat dhe ritet e varrimit, se ishin privuar nga kremtimi i liturgjisë në gjuhën e tyre, në kishën e tyre ortodokse shqiptare, për më shumë se 500 vjet, ndoshta mund të kuptosh edhe pse një patriot shqiptar si Theofan S. Noli ndjeu detyrim të madh ta vinte jetën e vet në shërbim të bashkatdhetarëve./Konica.al

Rebel i lindur dhe armik i shtypjes e i padrejtësive, Noli u frymëzua me mësimet dhe parimet e Revolucionit Francez dhe të presidentit amerikan Linkoln, për t’i vënë në jetë në Shqipëri. Kishte bindjen se kishte lindur e i duhej të luftonte për një Shqipëri të lirë, me kufij të sigurt, të zhvilluar nga ana ekonomike e kulturore. Ai ishte i dashuruar me Shqipërinë, gjuhën shqipe dhe Skënderbeun. Nuk reshti së menduari për atdheun, gjithmonë priste rastin që ta shikonte edhe një herë Shqipërinë para se të vdiste. Sa herë që gjente rastin, Noli fliste me dashuri dhe simpati për kombin dhe Shqipërinë e tij. Një aspekt tjetër shumë interesant është fakti se Noli e ngriti, si pakkush tjetër deri në atë kohë, figurën legjendare të shqiptarit, gjallërinë e tij nëpër shekuj. Ai e përshkoi shqiptarin si një luftëtar të paepur dhe të patrembur përmes furtunash dhe stuhish.

Fan S. Noli, ky atdhetar me ndërgjegje të lartë qytetare politike dhe demokrat i shquar, reformator i kishës, orator, lider politik, kompozitor, i cili luftoi për Shqipërinë larg saj. Ai zotëronte rreth 12 gjuhë të huaja, duke bërë të flasin në shqip Shekspiri, Gëte, Hygoi, Ibseni, Servantesi etj. Këto vepra Noli i përktheu në një kohë kur në gjuhën shqipe përkthehej pak, kur kushtet shoqërore dhe politike nuk ishin të përshtatshme. Ai bëri “Don Kishotin” të ëndërrojë shqip, bëri Otellon të zemërohet shqip, bëri Hamletin të pikëllohet shqip. Dr. mitropoliti Fan Stilian Noli do të mbetet në historinë e Shqipërisë si njeriu që arriti i pari, me hir të vullnetit e të hollësisë së tij, ta lexojë zyrtarisht gjuhën shqipe në meshat në kishë. Dita që meshoi për herë të parë është një ogur i bardhë në udhën e përparimit të kombit shqiptar. Ai ishte shqiptari që foli shqipen më të pastër e të fuqishme, megjithëse vetëm katër vjet qëndroi në atdheun e vet. Noli u bë udhëheqësi shpirtëror i shqiptarëve, arkitekti i madh i përpunimit të fjalës shqipe dhe i mendimit demokratik shqiptar.

Në shkrimet dhe kujtimet për Fan Nolin është hedhur dritë përgjithësisht mbi personalitetin e tij poliedrik, duke e zbuluar atë si udhëheqës të lëvizjes kombëtare e demokratike, klerik dhe shtetar, artist dhe dijetar, por pak është bërë për ta njohur si njeri. Edhe pse jetoi shumë gjatë, duke qenë edhe protagonist ose pjesëmarrës i shquar në ngjarje që vendosën fatin e Shqipërisë e të shoqërisë shqiptare, edhe pse bashkëpunoi, duke u lidhur me qindra njerëz në atdhe e në diasporë, kujtimet për të merren kryesisht me rolet e tij, që ai luajti, pra kryesisht me figurën e tij historike. Figura e tij si njeri, ose njeriu Nol, gjithmonë ka mbetur në plan të dytë apo është dhënë me informacion të varfër. Emri i tij nderon jo vetëm atdhetarin dhe demokratin, jo vetëm poetin dhe shkrimtarin, jo vetëm një nga etërit e shquar të qytetërimit shqiptar, por edhe njeriun si njeri, njeriun me gërma të mëdha, që, pa dyshim, përfaqëson e mishëron më së miri njeriun, nisur nga kjo pikëpamje mbetet një prej shembëlltyrave më të ndritura të botës shqiptare. Atdhedashës dhe humanist, mendje e hapur dhe e ditur, zemërgjerë dhe i guximshëm, punëtor dhe pasionant, sfidues dhe tolerant: këto cilësi e të tjera përbënin mozaikun e tij shpirtëror dhe lartësonin shtatin e tij njerëzor. Sigurisht, ai s’ishte qenie e përkryer: u takonte vdekatarëve të kësaj bote, bëhej i barabartë me ta jo vetëm me vlerat, por edhe me dobësitë njerëzore. Fan S. Noli, si askush tjetër, ngriti zërin për afrimin e Shqipërisë me botën, ngriti zërin për padrejtësitë historike që i janë bërë kombit shqiptar. Ai ngriti zërin dhe luftoi për liritë demokratike dhe mendimin e lirë. Ishte për një demokraci të tipit perëndimor, me pluralizëm politik dhe zgjedhje të lira. Për këtë u jepte përparësi marrëdhënieve me SHBA-në dhe mënyrës amerikane të jetesës. Veprimtaria diplomatike përbën një faqe nga më të ndriturat në jetën e Nolit. Ai është përfaqësuesi i madh i oratorisë shqiptare, sidomos me fjalimet politike, por edhe në publicistikë, përdori një gjuhë me një shije të lartë artistike. Shpesh ai na ka dhënë pamje mjaft prekëse e të realizuara nëpërmjet një stili të mbushur plot emocione. Me shkrimet dhe oratorinë e tij ai krijoi një ndërtesë të lartë e të bukur që është studiuar dhe po studiohet edhe sot. Jeta dhe vepra e Fan Nolit përbëjnë një thesar të vërtetë e me vlera të mëdha kombëtare për kulturën e historinë tonë shqiptare./Konica.al

Fan Noli lëvroi dramën, botoi artikuj në gazetën “Drita”, përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë ç ‘është e ç’do të bëhet”. Gjatë viteve që Noli jetoi në SHBA, luajti rol të rëndësishëm në bashkimin e shoqërive shqiptare, si dhe për botimin e gazetës “Kombi”. Këto kohë, ai krijoi vargjet e para dhe nisi shqipërimet. Megjithëse larg Shqipërisë, kontributii tij ishte gjithmonë për Shqipërinë.

 

Rolin kryesor, Noli e luajti në pozicionin e si prift, detyrë që e ndërmori në moshën 27-vjeçare, kur shqiptarëve ortodoksë të Amerikës po u humbte durimi nga kontrolli grek mbi kishën.

Si prift ortodoks, në vitin 1908, për herë të parë ai mbajti liturgji në gjuhën shqipe, në sallën “Knights of Honor” në Boston. Ky akt përbënte hapin e parë drejt organizimit dhe njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse Shqiptare Autoqefale. Për kohën, kjo kishte rëndësi politike, pasi i priste udhën ndikimit të qarqeve greke për shqiptarët e besimit ortodoks.

 

Ndërkohë, ai bashkëpunonte në gazeta, mbante ligjërata, organizonte shoqëri patriotike, që më 1912, u bashkuan në federatën pan-shqiptare “Vatra”. Atë vit kreu studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit (Bachelor of Arts cum laude). Në vitin 1913 Fan Noli vizitoi për herë të parë Shqipërinë dhe kreu të parën shërbesë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe në këtë vend në prani të princit Vilhelm Vid.Noli erdhi në Shqipëri në vitet 1913 dhe 1920 .

Ai u bë figurë udheheqëse në luftën për vendosjen e rendit demokratik. Me fitoren e Revolucionit të Qershorit, më 17 qershor 1924 Fan Noli u vu në krye të qeverisë së Shqipërisë. Gjatë gjashtë muajve ai drejtoi një qeveri demokratike, e cila u mundua me mish e me shpirt të përballonte problemet politike dhe ekonomike të shtetit të ri shqiptar, të cilat ishin mjaft të rënduara. Por programi i tij për modernizimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, doli se qe tepër i nxituar në një vend pa tradita parlamentare.

Me rrëzimin e qeverisë së tij nga forcat zogiste Noli u largua përgjithmonë nga Shqipëria. Dashurinë për popullin dhe atdheun ia ushqeu rrethi familjar. Kultura e gjerë që mori i dha atdhetarizmit te tij përmbajtje të përparuar. Luftën për çlirim kombëtar ai e konceptonte si luftë me armë dhe me pene. Fan Noli kërkonte që bashkatdhetarët e vet të mbështeteshin në “krahët… trimërinë…dhe kordhën e tyre…”. Si përkrahës i luftës për t’u çliruar nga zgjedha e huaj mbështeti veprimet e çetave dhe kryengritjet e mëdha me arme kundër sundimit osman. Pas shpalljes së Pavarësisë u vu në shërbim të qeverisë shqiptare të Vlorës.

Pikëpamjet mbi organizimin e shtetit, politikën e brendshme dhe të jashtme i shtjelloi në shkrime dhe fjalime të viteve 1921-1924. Luftoi që shteti të vinte në jetë parimet e demokracisë së përparuar. Fan Noli është një nga figurat më të shquara të kulturës kombëtare. Me veprimtarinë e shumanshme ai dha ndihmesë të çmuar në formimin e kulturës demokratike shqiptare.

 

Një pjesë të mirë të forcave të tij ai ua kushtoi gazetarisë dhe publicistikës, duke drejtuar me ndërprerje gazetën “Dielli”, themeloi dhe drejtoi gazetën “Republika”. Fan Noli është një ndër mjeshtrit e poezisë shqiptare , lirikat e tij ngërthejnë përgjithësime të rëndësishme artistike. Ai shprehu aspiratën e shtresave demokratike për liri dhe tokë, për drejtësi dhe përparim. Lirikat politike të Fan Nolit ushtojnë nga besimi i patunduri poetit në fitoren mbi armiqtë e vendit dhe drejt përparimit. Fan Noli i kushtoi vëmendje të posaçme edhe studimeve historike.

Në këtë fushë interesat e tij u përqendruan rreth jetës së Gjergj Kastriot Skënderbeut. Njeri me interesa të gjera krijuese ai u mor edhe me muzikologji ; monografia e tij “Bethoveni dhe Revolucioni francez” në gjuhën angleze, u çmuan lart nga specialistë dhe personalitete të shquara. Fan Noli la përkthime mjeshtërore të disa veprave të shkrimtarëve të shquar përparimtarë botërorë, si Shekspiri, Ibseni, Servantesi, etj.Noli vdiq në Florida. SHBA, në 13 mars të vitit 1965 në moshën 83-vjeçare.

Noli ishte i lidhur gjatë gjithë jetës me popullin e tij, të cilit i njohu vuajtjet, e thirri në luftë dhe i admiroi fitoret. Ai la gjurmë të pashlyeshme në historinë e popullit tonë e të kulturës së tij.

***

Fryn moj erë…

Ngaj po na vjen, moj erë e rreptë?
Pse vërshëllen me aq mallëngjim?
-Vij drejt nga malet e Shqipërisë,
për të përhapur zi e vajtim.
Fryn, moj erë, moj erë e shkretë fryn,
drejt më zëmër, më zëmër time hyn.

-Nga ata male, moj erë trime,
ç’lajme të reja po na ke siell?
Pse je e vrerët dhe e helmuar?
qiellë me zi përse na e mbiell?
Fryn, moj erë, etj.

Pse e ke synë të trubulluar
e rent kaluar mi t’zeza re?
Pse të pikojnë lottë të zeza,
lottë të zeza posi rrëke?
Fryn, moj erë, etj.

Syri m’u err nga ato që pashë
Ah! nukë mbahem, nuk duroj dot.
Pashë një gjëmë, gjëm të tmeruar,
rent ta haroj, po rentkam më kot.
Fryn, moj erë, etj.

Atje tek losnja në fush’ të Korçës,
duke u hedhur lis më lis,
një qivur pashë me nj’çup’ të virgjër,
ma vrau shpirtin ay filis.
Fryn, moj erë, etj.

Tokat pushonin, prift nukë dukej,
e pakënduar na u varros;
mihnë dëborën, i bënë varrë,
shpirt nuk më mbeti, forca m’u sos.
Fryn, moj erë, etj.

Atje mi varrë qante një grua,
një grua qyqe me mallëngjim;
burrën të qante më par’a çupën,
për kë të bënte më par’vajtim?
Fryn, moj erë, etj.

Renda e ika e fluturova,
po dhëmbjen time ku do ta fsheh?
Çava oqeane, dete dhe male,
po vajtoj edhe sikundër sheh.
Fryn, moj erë, etj.

-Moj er’e rreptë, erë malsore,
shpirti m’u ndes, zëmra më shkriu;
sytë m’u errë si ty dhe mua,
mëndja në kokë më bubullin.
Fryn, moj erë, etj.

Qëndro të lutem, të kam për t’dhënë
dhe un’i varfri një porosi:
një re të madhe dërgo të zbresë
e ta ngarkojmë me lott’e mi.
Fryn, moj erë, etj.

E kur të kthehesh nga Shqipëria,
Atje në kopshtin, atje t’qëndrosh,
dhe lott’e mia si vesë qjelli
dalë nga dalë do t’i pikosh.
Qaj, moj erë, moj er’e shkretë qaj,
derthmi lottë atje mi varr’e saj.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Shqipëria në testamentin e Konicës

“Ti Imzot Noli dhe ti Lamja i vogël”


Meli Qena: Është peridha më e ndritshme e jetës time

40 vjetori i themelimit të Teatrit ‘Dodona’

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!