Që futbolli shqiptar është në kohët më të vështira, mjafton të shohim se si lëngojnë klube që kanë bërë historinë në sportin shqiptar.
Nuk është thjesht ecuria negative e disa prej skuadrave më të njohura në vendin tonë, pasi oshilacione kanë ndodhur dhe dhe ndodhin edhe me klube prestigjoze europiane.
Por nëse në Europë rastet me financat apo keqmenaxhimin e klubit janë sporadike, në Shqipëri thuajse cdo sezon kemi raste për t’u marrë shembull për keq.
Dihet që klubet vuajnë nga financat, bashkitë është vërtetuar që nuk mund të menaxhojnë mirë klubet e tyre. Eksperienca e viteve të fundit e tregon më së miri.
ÇFARË DUHET?
Ajo që flitet prej kohësh, por që nuk po miratohet: Ligji për funksionimin e sportit dhe privatizimit apo sponsorizimit të klubeve.
Shembujt për mirë apo për keq i kemi në Superiore. Partizani lëngoi disa vite duke kaluar në disa duar, më pas u rikthye. Kjo sepse është në dorë të një biznesmeni, që po bën edhe kompleks. Por është i gjithi privat!
Një rast pak më ndryshe i Flamurtarit. Nga një sponsor, Sinan Idrizi u bë administrator. Priti për 3 vjet privatizimin, nuk erdhi. E pse duhet të hedhë pará dikush kur s’merr asgjë mbrapsht. Kur ai shpresoi të blejë klubin, Flamurtari garonte njësoj, ndërsa tani ka humbur shpresën si duket Idrizi.
Shembuj pastaj për menaxhimin e keq nga bashkitë kemi në secilën kategori, pa harruar se klube si Elbasani, Lushnja, Besëlidhja, Kavaja, lëngojnë në kategori të ulëta.
SI MUND TË VEPROHET?
Urgjentisht privatizimi i klubeve dhe jo vetëm atyre të futbollit. Të shiten stemat me ankand, por nëse ka biznesmenë të fuqishëm, edhe asetet, madje edhe stadiumet. Këta të fundit mund të jepen edhe koncensione, pa ndryshuar destinacion në rast rikonstruksioni.
ROLI I FSHF
Federata nuk duhet të tolerojë më. Më mirë një vit zero dhe një nisje graduale që pas disa vitesh të kemi futboll të shëndoshë dhe rentabël, sesa miqësira sa për të mbyllur një sezon.
Që Luftëtari dhe Flamurtari janë dënuar sot nga FIFA, është edhe pasojë e tolerancës së FSHF-së, e cila nisi garën, edhe pse këta dy klube kishin borxhe të mëdha. Dhe ja përfundimi, jo thjesht se janë në vend të fundit, por tashmë do të vuajnë edhe pasoja të tjera.
FSHF, pas ligjit për sportin dhe privatizimin, të nisë me vitin zero. Cilat klubet plotësojnë kriteret, duke pasur edhe stadiumin të licensuar, të futet në garë. Sipas kategorisë dhe organikës që ka një klub në bazë të kontratave (jo fiktive), të ngrihet shuma monetare për një sezon.
E gjitha kjo në rast se presidenti apo grupi i biznesmenëve që ka klubin të vijojë garën deri në fund të sezonit, pasi futbollistët do të ishin të garantuar.
Në rast falimentimi, klubi nxirret sërish në ankand nga bashkia ose mund të shitet nga pronari që e kishte, ashtu sic ndodh në të gjithë botën.
Klubet që nuk përballojnë dot elitën apo kanë probleme, më mirë futboll amator ku të përfshihen të rinjtë sesa një futboll gënjeshtër që mërzisin edhe tifozët.
Vendi ynë ka një mijë e një halle, por kur miratohen ligje për shpifje dhe ligje të tjera, ka ardhur koha të ketë edhe një ligj për sportin. (Nga Eduard Ilnica)