Një dokumentar i paralajmëruar vite më parë, për aktorin e madh Bekim Fehmiu, tashmë është në proces. Beogradi dhe Sarajeva, janë dy vendet e shesh-xhirimet e para.
Me skenar nga gazetari Fahri Musliu, regji nga Valmir Tertinit, jeta dhe karriera e Fehmiut do të shpalosen nëpërmjet familjarëve, atyre që e kanë njohur dhe kanë bashkëpunuar me të.
Dokumentari titullohet thjesht “Bekim Fehmiu”. Premiera pritet të jetë gati deri më 15 qershor, kur bëhet një dekadë prej vdekjes së tij. Për t’ia dalë, ekipi prapa tij është duke kërkuar edhe ndihmë financiare nga artdashësit. Projekti është mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë e Shqipërisë, por jo edhe ajo e Kosovës, sipas medieve në Kosovë.
Gati një dekadë më parë, për mediat serbe, me rastin e vdekjes së Fehmiut, regjisori Goran Markoviç kishte thënë se Femiu e ka luajtur rolin në filmin e tij të parë “Specijalno vaspitanje” (Edukimi special), sikur të ishte duke aktruar në ndonjë megaprojekt hollivudian. Rolin në filmin e viti 1977, aktori kishte pranuar ta luante pa pagesë, megjithëse në atë kohë konsiderohej yll e Markoviç, regjisor pak i njohur.
Pikërisht për këtë bashkëpunim ka folur edhe Markoviç, i cili tashmë është intervistuar. Para tri ditësh, ai është takuar me regjisorin dhe me pjesën tjetër të ekipit në Beograd. Përveç tij, në dokumentar do të përfshihet edhe bashkëshortja e Fehmiut, aktorja Branka Petriç, i biri Uliks Fehmiu, po ashtu aktor, vëllai Arsim Fehmiu, miku i tij, Vedat Kiseri, kritiku i filmit nga Serbia, Milan Vlajçiç, aktori serb Branislav Leçiç, dramaturgia dhe regjisorja, Ivana Vujiç e të tjerë.
Regjisori Tertini, ka thënë se dokumentari do të jetë pa narracion, me intervista dhe pamje ilustrative nga filmat dhe arkivat.
“Xhirimet nisën në Beograd e Sarajevë për të vazhduar në Zagreb. Prishtina, Prizreni, Gjakova, Tirana, Shkodra, Shkupi, Roma, Kana dhe New York do të jenë destinacionet e xhirimeve të tjera. Dokumentari ka një trajtimi observativ, pa narracion, me intervista nga personazhet me më ndikim në jetën e tij”, ka thënë ai. Ka treguar se në Beograd, gjatë këtyre ditëve kanë xhiruar lagjen, pallatin fakultetin dhe disa nga vendet ku ka qëndruar aktori.
“Pastaj në Sarajevë, lagjen dhe shtëpinë ku ka lindur”, ka thënë Tertini, i cili të hënën me ekipin e tij kishte marrë rrugë për në Kroaci. Edhe atje kanë lënë takime me njerëz të afërt me Fehmiun. Gjetja e tyre që kanë çfarë të thonë për aktorin me nam, s’është punë e zorshme. Por, telashi kryesor janë mjetet.
Terteni ka thënë se shuma që kanë marrë nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë nuk është e mjaftueshme.
“Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri ka dhënë maksimumin e buxhetit. Mosmbështetja nga Qendra Kinematografike e Kosovës është skandaloze, përgjegjës janë drejtori dhe juria”, – ka thënë ai. Në adresë të QKK-së, më këtë projekt kanë konkurruar vitin e kaluar.
Drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, ka thënë se institucioni që ai drejton zgjedh jurinë dhe u mbetet anëtarëve të saj për t’i vlerësuar projektet.
Duke mos pasur mjetet e mjaftueshme, ekipi i filmi po pret ndihmë nga artdashësit.
Skenaristi i dokumentarit, Fahri Musliu, në një postim në rrjetet sociale ka thënë se dokumentari ka nisur rrugëtimin e vet, pas përgatitjeve të gjata, “me vullnet të mirë dhe vendosmërinë e realizuesve të tij, por pa mjete të duhura financiare”.