Janë menduar lehtësira fiskale për kontributet në fondet private të pensioneve.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hedhur për konsultim publik ndryshimet në ligjin “Për fondet e pensionit vullnetar”, që ndër të tjerash parashikon rritjen e shumës së kontributeve që përjashtohen nga pagesa e tatimit mbi të ardhurat personale.
Kjo shumë do të rritet në 240 mijë lekë në vit, nga 200 mijë lekë në vit që parashikon ligji aktual. Ndërkohë, ligji i ri do të ruajë të pandryshuar shumën e zbritshme nga tatimet për kontributet e derdhura nga punëdhënësi, që do të ngelet në kufirin e 250 mijë lekëve në vit.
Ndryshimet në ligj janë hartuar kryesisht nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, me konsulencën e ekspertëve të Bankës Botërore.
Por, drafti i paraqitur nga AMF-ja nuk është reflektuar plotësisht në projektligjin që propozon Ministria e Financave.
AMF-ja kishte propozuar që pensionet private, në momentin e përfitimit, të tatoheshin vetëm për kthimin nga investimi, por jo për shumën e derdhur nga kontribuesi.
Ky propozim nuk është pranuar nga qeveria dhe nuk është reflektuar në projektligj. Kjo nënkupton se pensionet private do të tatohen të plota, në masën e parashikuar nga ligji për tatimin mbi të ardhurat personale.
Ligji i ri do të vendosë edhe një afat kohor për tërheqjen e parakohshme nga fond i pensioneve. Sipas propozimit të Ministrisë së Financave, tërheqja e parakohshme mund të bëhet vetëm pas 10 vjetësh, nga fillimi i derdhjes së kontributeve.
Por, edhe pas kësaj periudhe, do të aplikohen penalitete, siç parashikohet edhe në ligjin ekzistues. Kjo dispozitë është shtuar për të dekurajuar tërheqjet e parakohshme të fondeve nga skema, me qëllim mbajtjen e tyre deri në momentin e daljes në pension.
Ligji parashikon që përfitimet nga pensioni privat mund të nisin vetëm 5 vjet para moshës që parashikohet për daljen në pension në skemën e detyrueshme shtetërore.