Sot u mbajt një konferencë e përbashkët midis Ministrit të Rindërtimit, Arben Ahmetaj dhe ministrit të Mjedisit dhe Urbanizimit të Turqisë, Murat Kurum.
Në këtë konferencë Ahmetaj tha se ‘qyteza’ që do të ndërtojë Turqia në Laç nuk do të jetë vetëm një proces rindërtimi, por një pol i ri zhvillimi ekonomik, urbanistik që përfshin edhe Bashkinë e Thumanës si dhe shkollën e saj.
Ai thotë se kanë rënë dakort që procesi i rindërtimit të 500 banesave të përfundojë në korrik gjë që e vendos në presion Shqipërinë.
Fjala e Ministrit Arben Ahmetaj
Sot pata kënaqësinë të kisha ministrin Turk Murat Kurum dhe delegacionin që e shoqëron. Falenderoj Turqinë dhe Erdogan për solidaritetin në momentet e vështira pas tërmetit të 26 nëntorit.
Përveç ndihmës së parë materiale që dhe sot kanë vazhduar të mbështesin qytetarët që kanë nevojë për një ndihmë emergjente, qeveria e Turqisë do të ndërtojë 500 shtëpi në Laç siç jemi dakortësuar.
Patëm rastin të diskutojmë mbi projektin e ndërtimit të shtëpive, duhet të theksoj se shkon përtej ndërtimit të banesave. Merr formën e një poli të ri urbano ekonomik. Është një model i ri zhvillimi në termat urbanistik dhe zhvillimit ekonomik.
Detaje nga Projekti dhe diskutimi me ministrin turk
Ndonëse është ende herët, puna ka filluar. Projekti mendohet të jetë rreth 500 banesa për qytetarët që humbën shtëpitë në Thumanë e Lac. Të shoqëruara me ambiente komerciale dhe dy ambiente publike për shkollën dhe ndërtesën e Bashkisë së Thumanës.
Siç e theksova, koncepti është përtej ndërtimit të emergjencës por një konceptim teknologjik dhe urbanistik që i mbijeton kohës. Në të njëjtën kohë do të jetë një risi që mund të kthehet në model për projektet e tjera.
Në të njëjtën kohë dua të nënvizoj që procesi i rindërtimit po vijon me hapa të shpejtë, projekti ‘Toki’ pra projekti me Turqinë të përfundojë rreth muajit korrik.
Kjo na vendos ne Shqipërinë në presion të domosdoshëm të nevojës së qytetarëve për të ndjekur afatet bashkë me ministrin turk.
Siç e kam theksuar prezantuam një sërë programesh në VKM në favor të Rindërtimit të banesave. Në favor të kthimit në banesa të të pastrehëve.
Sot në një takim do të diskutojmë për efektin praktik, grantet për rikonstruksion, shpronësimet, kompensimet, procedurat e përshpejtuara të lejeve dhe zyrat e Rindërtimit në secilën Bashki, për asistencën ndaj qytetarëve në platformën e aplikimit online që futet javës tjetër.
Nuk kemi patur as platformë ligjore as proceduriale të kësaj natyre dhe është e vështirë. Dua të ritheksoj se Rindërtimi ka filluar. Qeveria ka filluar të përzgjedhë sajtet e reja në Durrës, Kavajë, Tiranë, Thumanë apo dhe në Krujë dhe në Lezhë.
Qëllimi ynë, siç e ka përmendur edhe Rama, është që deri në fund të vitit të gjitha familjet në fshat të jenë brenda shtëpive. Brenda 2020 të jenë rindërtuar dhe rikonstruktuar të gjitha kopshtet, qendrat shëndetësore apo shkollat.