MENU
klinika

Si do të veprohet?

Projektet që do ‘eleminojnë’ pagesat cash

16.01.2020 - 14:45

Shqipëria vazhdon të ndjekë metodën klasike përsa i përket pagesave duke u dalluar për një prapambetje të konsiderueshme në përdorimin e pagesave elektronike.

Rreth 96% e pagesave në vendin tonë bëhen me para në dorë, ndërsa përdorimi i pagesave përmes kartave apo internet banking ngelet i ulët krahasuar me ekonomitë më të zhvilluara. Përveçse nga përfshirja e pamjaftueshme financiare dhe nga informaliteti, rritja e pagesave elektronike kufizohet ende edhe nga mangësitë në infrastrukturën e pagesave.

Për të ndryshuar këtë realitet në Shqipëri strategjia kombëtare përmban dy projekte të ndërlidhura që pritet të ndihmojnë ndjeshëm në nxitjen e pagesave elektronike dhe të ulë kostot e tyre.

Bëhet fjalë për projektin e instant payment apo pagesave të çastit si edhe atë të card switch ose të përpunimit kombëtar të pagesave me kartë.

Pagesat e çastit do të mundësonin blerje direkte mes shitësve dhe blerësve të pajisur me një llogari bankare dhe shërbim të bankiungut përmes internetit apo telefonit celular. Pagesat ndërbankare në vlerë të vogël në Shqipëri zhvillohen në sistemin AECH të Bankës së Shqipërisë, me tre seanca ditore.

Kreditimi i fondeve nga klienti porositës tek ai përfitues bëhen brenda ditës, për pagesat e nisura brenda orës 14.30, ndërsa ato që urdhërohen pas orës 14.30 ekzekutohen të nesërmen.

Një sistem me pagesa të çastit, funksional 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë, do të mundësonte tranferta ndërbankare praktikisht në kohë reale. Praktikisht, shitësi do të mund ta marrë pagesën nga blerësi në moment, duke lehtësuar ndjeshëm transaksionet e biznesit dhe duke ulur nevojën për blerje cash.

Projekti i dytë është ai përpunimit kombëtar të pagesave me kartë ose card switch. Aktualisht, Shqipëria nuk ka një sistem kombëtar për të kanalizuar pagesat që kryhen me kartë, por shfrytëzon infrastrukturën e ofruesve globalë të këtyre shërbimeve, çka sjell kosto të konsiderueshme.

Një sistem kombëtar do të bëjë të mundur që të gjitha pagesat nga kartat e ndryshme të emetuara në Shqipëri të kanalizohen, klerohen dhe shlyhen nëpërmjet kësaj infrastrukture.

Efikasiteti i përpunimit të pagesës me kartë do të rritet dhe kostot do të ulen. Me kalimin e kohës, switch-i kombëtar duhet të jetë në gjendje të funksionojë edhe me kanale të tjera pagesash, si, për shembull, nëpërmjet celularit.

Projektet e card switch dhe instant payment po zhvillohen në bashkëpunim mes Bankës së Shqipërisë dhe Shoqatës Shqiptare të Bankave. Objektivi është që ato të zbatohen brenda tre viteve të ardhshëm.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN