MENU
klinika

BBC/ Rrjedha e konfliktit

Sanksionet e ashpra ekonomike nxitën tensionet SHBA-Iran?

08.01.2020 - 14:21

Dy vendet, SHBA dhe Iran kanë një histori të gjatë përsa i përket ‘armiqësisë’ midis tyre. Nëse kthejmë sytë nga e shkuara problemet datojnë që nga viti 1979, kur Shahu i Iranit i mbështetur nga SHBA u rrëzua dhe vendi u bë një republikë islamike.

Atë vit, në mes të pasojave të revolucionit, dhjetëra amerikanë u morën peng brenda ambasadës amerikane në kryeqytetin e Teheran. Marrëdhëniet kanë qenë të ftohta që nga ajo kohë.

Plot 36 vite më vonë, në vitin 2015 pati shenja pozitive përsa i përket marrëdhënieve diplomatike, kur Irani ra dakord për një marrëveshje historike për të kufizuar programin e tij bërthamor, duke zbutur shqetësimet ndërkombëtare. Ky veprim u bë në këmbim të heqjes së sanksioneve të ashpra ekonomike.

Por menjëherë pas një viti, me zgjedhjen e Trump si President i SHBA solli një tjetër ‘gërricje’ midis vendeve. Ai e urrente marrëveshjen bërthamore të cilën e quajti “marrëveshja më e keqe e negociuar ndonjëherë.”

Në vitin 2018, ai “i dha duart” marrëveshjes dhe rivendosi sanksionet e SHBA-së për të detyruar udhëheqësit e Iranit të bien dakord për një marrëveshje të re, diçka që ata e refuzuan, edhe pse ekonomia iraniane ra në një recesion të thellë. Trump rriti presionin në maj 2019 duke aplikuar sanksione dytësore për vendet që vazhduan të bëjnë biznes me Iranin.

Marrëdhëniet u përkeqësuan më tej kur gjashtë cisterna nafte u sabotuan në Gjirin e Omanit në maj dhe qershor. Uashingtoni akuzoi Iranin se ishte pas këtyre sulmeve edhe pse Irani e mohoi këtë. Në korrik, Teherani filloi të pezullojë disa prej angazhimeve që kishte bërë në bazë të marrëveshjes bërthamore. Pastaj, në fund të dhjetorit, SHBA fajësoi një ushtri të mbështetur nga Irani për një sulm me raketa që vrau një kontraktues amerikan në Irakun verior.

Uashington u hakmor duke bombarduar bazat e lidhura me milicinë në Irak dhe Siri, duke vrarë të paktën 25 luftëtarë. Këto bomba shkaktuan një reagim të ashpër në Irak ndërkohë Ambasada e SHBA në kryeqytetin Bagdad u sulmua nga turma e protestuesve.

Presidenti Trump fajësoi Iranin për orkestrimin e sulmit dhe paralajmëroi se “do të paguante një çmim shumë të madh”. Më 3 janar, Qasem Soleimani u vra në një sulm me avionë amerikanë në aeroportin e Bagdadit.

Gjenerali, i cili kontrollonte forcat e përfaqësuesve të Iranit përtej Lindjes së Mesme, u vlerësua si një terrorist nga amerikanët, të cilët pretenduan se ai ishte përgjegjës për vdekjen e qindra trupave amerikane dhe po komplotonte sulme “të menjëhershme”.

Irani u zotua për një “hakmarrje e rëndë” për vdekjen e tij dhe tha dy ditë më vonë se kishte braktisur kufirin e fundit për pasurimin e tij të uraniumit të imponuar nga marrëveshja bërthamore. Trump ndërkohë paralajmëroi që SHBA do të përgjigjen në rast hakmarrjeje “mbase në një mënyrë disproporcionale”.

/Përkthyer dhe përshtatur për Konica.al nga BBC.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN