Kroacia do të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, e cila po zhvillon një vizitë zyrtare në Kroaci që përkon me javët e para të kryesimit kroat në Këshillin e Bashkimit Evropian, u shpreh se mori mbështetjen e homologëve për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Ministrja u takua me zv. kryeministrin dhe ministrin e Financave, Zdravko Marić, ministrin e Ekonomisë, Sipërmarrjes dhe Zejtarisë, Darko Horvat, dhe ministrin e Turizmit, Gari Cappelli.
“Vendet tona kanë marrëdhënie të shkëlqyera politiko-ekonomike, ndërkohë që vizioni ynë i përbashkët për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor dhe momentet historike na kanë bashkuar përherë, duke e shndërruar marrëdhënien tonë në një partneritet strategjik”, deklaroi ministrja Denaj.
Eksperienca kroate, sipas ministres Denaj, mbetet shumë e mirë për vendin tonë në zbatimin e procesit të fiskalizimit, përthithjen e investimeve të huaja, zhvillimin e sektorit të turizmit apo edhe në procesin e integrimit si vendi i fundit që ka aderuar në BE.
“Në këto takime shpreha gatishmërinë dhe angazhimin tonë të lartë për të mirëpritur investimet dhe projektet kroate në sektorët strategjikë”, u shpreh Denaj.
Ndërkohë që në forumin e përbashkët të biznesit organizuar nga dy dhomat kombëtare të tregtisë së dy vendeve, ministrja Denaj theksoi se “kjo është një mundësi shumë e mirë për një intensifikim të marrëdhënieve mes investitorëve shqiptarë dhe kroatë, si dhe për të prezantuar Shqipërinë në një audiencë më të gjerë”.