MENU
klinika

Nga Gjermania e Franca, te Rusia e Kina

Si reagoi bota për vrasjen e gjeneralit iranian nga SHBA?

05.01.2020 - 21:06

Vrasja e komandantit të forcave iraniane Quds, Qassem Soleiman, në një operacion të Ushtrisë amerikane, e bëri botën të ziejë.

Gjermania tha se sulmi, pasoi provokimet e vazhdueshme të Iranit. Rusia paralajmëroi tensionim të situatës në rajon, ndërsa Franca kërkon veprime të matura duke shtuar se kjo vrasje e bëri botën një vend më të rrezikshëm për të jetuar.

Gjermania e cilësoi vrasjen si përgjigje ndaj provokimeve të vazhdueshme të republikës islamike.

“Veprimi amerikan ishte reagim ndaj një serie provokimesh ushtarake për të cilat Irani është përgjegjës. Të tilla ishin sulmet ndaj anijeve cisternë në ngushticën e Hormuzit dhe në rafineritë e naftës në Arabinë Saudite. Kemi dënuar sulmet ndaj trupave të koalicionit në Irak sikur edhe sulmet e fundit në ambasadën amerikane”, tha Ulrike Demmer, zëdhënëse e qeverisë gjermane.

Zëdhënësja Demmer, bëri thirrje për maturi në veprimet e mëtejshme, në mënyrë që të ulen ntensionet në rajon.

Franca kërkoi vetëpërmbajtje.

“Po, zgjohemi në një botë më të rrezikshme. Përshkallëzimi ushtarak gjithmonë është i rrezikshëm. Është i rrezikshëm në çdo vend, në çdo territor, prandaj Franca angazhohet vazhdimisht për kushte stabiliteti dhe kështu do të vazhdojmë”, tha Amelie de Montchalin nga Ministria e Jashtme franceze.

Duke reaguar për komentet e qeverisë francize, Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, tha se “Franca e ka gabim”, vrasja e tij e “bën botën më të sigurtë”.

Sekretarja në Ministrinë e Jashtme franceze, tensionet i quajti si luftë për pushtet midis ShBA-së dhe Iranit.

Presidenti i Francës Emmanuel Macron shprehu solidaritetin e tij me aleatët sot gjatë një bisede telefonike me presidentin e SHBA-së Donald Trump dhe tha se Irani duhet të shmangë veprimet “destabilizuese” pasi komandanti iranian Qassem Soleimani u vra në një sulm ajror amerikan në Bagdad.

Në funksion të përshkallëzimit të fundit të tensioneve në Irak dhe rajon, presidenti Macron ka shprehur solidaritetin e tij të plotë me aleatët francezë në dritën e sulmeve të kryera javëve të fundit kundër koalicionit në Irak, tha Zyra e Macron në një deklaratë.

Macron gjithashtu shprehu shqetësimin për aktivitetet destabilizuese të forcave Kuds nën gjeneralin Qaseem Soleimani dhe kërkoi nga Irani të shmangë marrjen e ndonjë mase që mund të përshkallëzojë situatën dhe të destabilizojë rajonin.

Një analist nga Izraeli e përshkruan komandantin e forcave iraniane Quds, si figurën e dytë më të rëndësishme në Iran i cili sipas tij ishte arkitekti i aktivitetit iranian në botën arabe dhe Lindje të Mesme.

“Vrasje e tij do të rrisë tensionet në rajon, sepse ky nuk është një komandant i thjeshtë ushtrie. Ky është njeriu që mund të llogaritet si numri dy në Iran pas udhëheqësit suprem, Ayatollahut Ali Khamenei. Tensionet egzistojnë dhe kjo përfqësopn kulmin e tensioneve amerikjano-iraniane”, tha Uzi Rabi, profesor në Universitetin e Tel Avivit.

Në mesin e tyre edhe Kina u shpreh shumë e shqetësuar pas vrasjes.

“Paqja në Lindje të Mesme dhe rajonin e gjirit persik duhet të ruhet” tha zëdhënësi i ministries së jashtme kineze Geng Shuang, duke shtuar se Kina kërkon nga të dyja palët, në veçanti Shtetet e Bashkuara, të ruajnë qetësinë dhe të tregohen të përmbajtura në mënyrë që të shmanget rritja e tensioneve.

Rusia i ka shprehur ngushëllime Iranit për vrasjen e Qassem Soleimanit, komandantit të forcave elitare Kuds.

“Ne e konsiderojmë vrasjen e Soleimani si rezultat i një sulmi raketor amerikan në periferi të Bagdadit si një hap aventuresk që do të çojë në rritje të tensioneve në të gjithë rajonin. Soleimani ka shërbyer me besnikëri kauzën e mbrojtjes së interesave kombëtare të Iranit. Ne i shprehim ngushëllimet tona të sinqerta popullit iranian”, tha Ministria ruse e Punëve të Jashtme në një deklaratë.

SHBA dje konfirmoi vrasjen e komandantit Soleimani një sulm me dron në Irak.