Me anë të një postimi në rrjetet, Ujësjellës-Kanalizime i Tiranës, UKT, njofton se të gjithë kryefamiljarët penionistë përjashtohen nga taksa e ndërtesës.
Në po të njëjtin postim UKT sqaron procedurat që duhet të ndjekin nëse kryefamiljari nuk është përjashtuar nga taksa e ndërtesës.
Sipas UKT, referuar nenit 22 pika 6 e Ligjit nr.9632, date 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore” i ndryshuar, përjashtohen nga taksa mbi ndërtesën kategoritë si vijon:
-pasuritë e paluajtshme-ndërtesa, pronë e subjekteve juridike ose fizike, që në bazë të marrëveshjeve me bashkitë përdoren nga këto të fundit si banesa sociale;
-ndërtesat që përdoren nga komunitetet fetare, në funksion të veprimtarisë së tyre;
-ndërtesat e banimit, të deklaruara si vendbanim nga kryefamiljarët që përfitojnë vetëm pension pleqërie/pension social, kur familja e tyre përbëhet vetëm nga pensionistë, ose dhe me persona në ngarkim të tyre, që janë të paaftë për punë;
-ndërtesat e banimit të kryefamiljarëve që trajtohen me ndihmë ekonomike.
Ndaj për t’u përjashtuar nga taksa, pensionisti duhet të aplikojë pranë njësisë përkatëse administrative, duke paraqitur:
1. Librezë uji ose Faturë uji;
2. ID (Kartë Identiteti);
3. Librezë pensioni.