Sipas Scan, të gjithë vendet fqinje kanë njohur një rritje të hyrjeve në Shqipëri gjatë vitit 2019. Referuar të dhënave të publikuara nga INSTAT, hyrjet nga Kosova kanë njohur rritje, pavarësisht tendencës rënëse që dukej në disa muaj të veçantë të vitit.
Referuar të dhënave, rezulton se në Shqipëri gjatë vitit 2019 ka pasur 2 milionë e 246 mijë e 540 hyrje nga Kosova. Në krahasim me vitin e mëparshëm( 2018) hyrjet nga Kosova kanë njohur rritje me 7.6 %. Në fakt, hyrjet nga Kosova mbajnë vendin e parë për nga lista e hyrjeve në vend.
Edhe nga Maqedonia e Veriut rezulton se ka pasur një rritje të hyrjeve. Referuar të dhënave të INSTAT, gjatë vitit 2019, hyrjet nga Maqedonia e Veriut ishin 753 mijë e 533 duke njohur një rritje me 10.7 % në krahasim me vitin 2018.
Edhe nga Greqia ka një rritje të hyrjeve gjatë vitit 2019. Referuar të dhënave hyrjet nga Greqia ishin 467 mijë e 745, me një rritje 8 % në krahasim me vitin paraardhës. Hyrjet nga Mali i Zi rezultojnë 366 mijë e 817 duke njohur gjithashtu një rritje me 2.7 % në krahasim me vitin 2018.