MENU
klinika

"Isha i nxehur, nxora dufin"

Vrau kunatën, rrëfehet autori i krimit makabër

10.01.2020 - 17:25

Pak orë pas krimit të rëndë, zbardhet dëshmia e Erdet Çapokut, i cili akuzohet se vrau nusen e vëllait të tij, 35-vjeçaren Enkeleda Çapoku.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmë rreth orës 23:40, në Paskuqan.

Në gjendje të rënduar psikologjike, Çapoku pohoi se ishte penduar për vrasjen.

“Jam penduar për vrasjen. Nuk duhet ta kisha bërë. Isha i nxehur dhe doja të nxirrja dufin. Me kunaten kam pasur mosmarrëveshje gjithmonë. Ajo nuk më respektonte dhe nuk më dëgjonte. Pasi u perlesha me të, e pashë që po i dilte shumë gjak nga koka dhe ika. U fsheha tek shtëpia e kushëritit në Laprakë derisa erdhi policia (Shtëpia ishte bosh pasi kusheriri jetonte jashte vendit)”, tha ai.

Ngjarja
Ngjarja e rëndë që tronditi Tiranën dhe mbarë opinionin publik ndodhi pak para mesnate. Autori i dyshuar, Erdet Çapoku hyri dhunshëm në banesën e kunatës së tij, ku ajo jetonte bashkë me vajzën e saj 18 vjeçe dhe nënën. Pasi hyri në dhomën e gjumit të tyre, autori goditi me levë nënën e viktimës, ndërsa më pas iu sul kunatës së tij, Enkeledës. Pasi e ka qëlluar atë me levë në kokë, thuhet se autori e ka goditur dhe me thikë, duke i prerë damarët dhe fytyrën gruas së vëllait të tij. Ky i fundit ndodhej në burg, pasi është dënuar me 10 vite heqje lirie për trafik droge.

Kunati e përndiqte Enkeledën, duke e parë kur ajo shkonte në punë, pasi punonte në një fabrikë këpucësh bashkë me vajzën, dhe duke i bërë fotografi në çdo moment. Më pas, fotot ia dërgonte vëllait të tij në burg, duke rritur kështu konfliktin mes familjes.
Për këtë arsye, gruaja e kishte denoncuar kunatin, duke marrë urdhër-mbrojtje në Komisariatin e Kamzës. Kjo kishte shtuar edhe më shumë përplasjet, duke bërë që ai mbrëmë të futet në banesën e saj, duke shkelmuar derën, dhe duke vrarë Enkeledën në sy të vajzës dhe nënës së saj.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN