MENU
klinika

The New Yok Times

BE jep gati 60 mld euro subvencione bujqësore

10.02.2020 - 12:09

Në kohën e komunizmit në fushat që shtriheshin për milje të tëra përreth qytetit të Csakvar, në perëndim të Budapestit, fshatarët mbillnin grurë dhe misër për qeverinë që ua kishte marrë e shtetëzuar tokën. Sot fëmijët e atyre fshatarëve punojnë për zotërinjtë e rinj: një grup oligarkësh dhe politikanësh që e kanë marrë tokën përmes marrëveshjeve jotransparente me qeverinë hungareze.

Ata kanë krijuar një version modern të sistemit feudal, duke shfrytëzuar punën e atyre që u nënshtrohen dhe duke ndëshkuar ata që rebelohen. Me sa duket, këta baronë agrarë po financohen dhe përkrahen nga Bashkimi Evropian. Brukseli çdo vit shpërndan rreth 58 miliardë euro subvencione për të ndihmuar fermerët e kontinentit dhe për të mbajtur gjallë komunitetet rurale.

Por në Hungari dhe pjesën më të madhe të Evropës Qendrore dhe Lindore, pjesa më e madhe e subvencioneve u shkon disa individëve të fuqishëm me miqësitë e duhura. Në vitin 2018 Kryeministri i Republikës Çeke, Andrej Babis, fitoi dhjetëra milionë euro, ndërsa në Sllovaki pati grabitje të tokave me një stil të pastër mafioz.

Autonomia dhe transparenca
Politika e përbashkët bujqësore (CAP), një element thelbësor në zhvillimin e BE, sot shfrytëzohet nga të njëjtat forca antidemokratike që kërcënojnë sistemin evropian nga brenda. Qeveritë e Evropës Qendrore dhe Lindore, në shumë raste të udhëhequra nga liderë populistë, kanë fuqi të plotë për të vendosur se si të ndajnë subvencionet, të paguara nga taksapaguesit në të gjithë Evropën, dhe i gjithë sistemi është i mbyllur në fshehtësi.

Investigimi i New York Times në nëntë vende ka zbuluar ekzistencën e një sistemi që është qëllimisht jo-transparent, që minon rëndë objektivat mjedisorë të BE dhe që është shtrembëruar nga korrupsioni dhe konflikti i interesit. Burokracia evropiane e toleron këtë korrupsion sepse për ta adresuar atë duhet të reformojmë programin CAP të politikës së përbashkët bujqësore e cila është thelbësore për të mbajtur BE-në të bashkuar. Udhëheqësit evropianë nuk pajtohen për shumë gjëra, por të gjithë mbështeten në subvencionet bujare të CAP, të cilat ata mund ti shpenzojnë ashtu siç dëshirojnë.

Ndryshimi i sistemit për të kufizuar abuzimet në vendet që hynë në BE gjatë 15 viteve të fundit do të nënkuptonte rrezikimin e fatit politik dhe ekonomik në të gjithë kontinentin. Kjo është arsyeja pse përparësia në Bruksel nuk është të zhdukë korrupsionin ose forcimin e kontrolleve. Përkundrazi, Komisioni Evropian dëshiron t’u japë shteteve individuale më shumë autonomi në shpenzimin e parave, pavarësisht kundërshtimeve të Gjykatës Evropiane të Auditimit. Politika bujqësore është zëri i parë në buxhetin e BE-së dhe zë 40 përqind të shpenzimeve.

Është një nga programet më të mëdha të granteve në botë. Megjithatë, të njëjtët njerëz që vendosin rregullat e tij, shpesh pranojnë se nuk dinë se ku përfundojnë paratë e shpenzuara. Padyshim që një pjesë përfundon në provincën e Fejér, në Hungari, ku lindi kryeministri Viktor Orbán. Idhulli i kritik i ekstremit të djathtë, me qëndrime të ashpra ndaj Brukselit dhe elitave evropiane, Orban është i lumtur kur merr paratë e BE.

Hetimi i New York Times zbuloi se ai përdor fondet bujqësore për të financuar një sistem patronazhi që pasuron miqtë dhe familjen e tij, mbron interesat e tij politikë dhe ndëshkon rivalët e tij. Qeveria e Orbán ka shitur mijëra hektarë tokë shtetërore në ankand për anëtarët e familjes së kryeministrit dhe bashkëpunëtorëve, përfshirë një mik fëmijërie që është bërë një nga burrat më të pasur në vend. Dhe këta, si pronarë të tokave, kanë marrë miliona euro subvencione bujqësore.

“Është një sistem thellësisht i korruptuar”, thotë Jozsef Angyan, i cili nga 2010 deri në vitin 2012 ishte nënsekretar për zhvillimin rural në qeverinë Orban. Bashkimin Evropian, harxhon tre herë më shumë sesa SHBA në subvencione bujqësore çdo vit. Por nëse madhësia e programit është zgjeruar ndjeshëm, kontrolli i shpenzimit të parave nuk është përmirësuar.

Qeveritë kombëtare publikojnë disa informacione se kush mbledh paratë, por përfituesit më të mëdhenj fshihen pas strukturave komplekse të pronësisë. Dhe megjithëse subvencionet varen pjesërisht nga sipërfaqja e tokës, të dhënat e pasurive janë sekrete, gjë që e bën më të vështirë gjetjen e rasteve të grabitjes së tokës dhe korrupsionit. Megjithëse Bashkimi Evropian e përcakton politikën bujqësore si një rrjet thelbësor sigurie për fermerët, hulumtimet kanë treguar që 80 përqind e parave shkojnë për 20 përqind të operatorëve më të pasur.

Dhe shpesh këto para përdoren për të grumbulluar pushtet politik. Në Republikën Czecheke përfituesi më i njohur është Andrej Babis, një sipërmarrës bujqësor me miliardë dollarë dhe, nga 2017, kryeministër. Në vitin 2018 kompanitë e tij përfituan së paku 38 milion euro subvencione. Babiq, i cili mohon çdo akuzë për keqpërdorime, aktualisht është i përfshirë në dy hetime për konflikt interesi.

Vitet e fundit qeveria çeke në fakt ka miratuar rregullore të reja që e bëjnë më të lehtë marrjen e fondeve evropiane për ndërmarrjet e mëdha. Dhe ajo e Babiqit, Agrofert, është më e madhja. “Rezultati i këtij mekanizmi”, thotë Lukas Wagenknecht, senator, ekonomist dhe ish-zëvendësministër i financave, “është se Babis është politikani më i fuqishëm në Republikën Çeke dhe i mbështetur plotësisht nga BE.”

Një sistem i korruptuar
Në Bullgari, subvencionet kanë pasuruar elitën agrare. Akademia Bullgare e Shkencave ka zbuluar se 75 përqind e llojeve kryesore të subvencioneve bujqësore evropiane përfundojnë në duart e rreth njëqind njerëzve ose bizneseve. Pranverën e kaluar autoritetet kryen kërkime në të gjithë vendin, duke zbuluar lidhje të korrupsionit midis zyrtarëve publikë dhe fermerëve. Një nga prodhuesit më të mëdhenj të miellit në vend është paditur për mashtrim.

Në Sllovaki Prokurori i Përgjithshëm ka pranuar ekzistencën e një “mafie bujqësore”. Ka pasur raste të fermerëve të vegjël që janë dhunuar e kërcënuar. Në vitin 2018, gazetari hetues Jan Kuciak u vra ndërsa hetoi disa kriminelë italianë që kishin depërtuar në industrinë bujqësore, duke përfituar nga subvencionet dhe ndërtimi i lidhjeve me pushtetin politik. Përkundër kësaj, në Bruksel dhe kryeqytete të tjera evropiane propozimet për reformën e CAP shpesh hidhen poshtë ose lihen mënjanë. Autoritetet evropiane, për shembull, kanë injoruar një raport të vitit 2015 që rekomandon shtrëngimin e rregullave për subvencionet bujqësore si garanci ndaj fenomen i marrjes së tokës (përvetësimi i tokës) në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Për më tepër, Parlamenti Evropian kundërshtoi një ligj që do t’i kufizonte politikanët në shpërndarjen e subvencioneve. Dhe vazhdimisht thashethemet për mashtrim dhe abuzim janë mohuar nga zyrtarë të nivelit të lartë. Pak drejtues kanë guxuar të shfrytëzojnë sistemin e subvencioneve aq të guximshëm siç ka bërë Orbán në Hungari. Fermerët që kritikojnë qeverinë dhe politikat e saj shpesh e shohin veten jashtë subvencioneve të kërkuara ose u nënshtrohen kontrolleve tatimore dhe inspektimeve të papritura mjedisore. Është një fushatë e rafinuar kërcënimi që kujton vitet e regjimeve komuniste.

Pushteti si përfitim
Sipas investigimit të New York Times, përfituesit më të mëdhenj privatë të subvencioneve bujqësore në Hungari ishin kompanitë e kontrolluara nga Meszaros dhe Sandor Csanyi, një biznesmen i fuqishëm nga Budapesti. Në vitin 2018, kompanitë e tyre morën gjithsej 25 milion euro subvencione. Të dy kanë marrëdhënie shumë të ngushta me Orban dhe partinë e tij. Csanyi është dikush që Orban nuk mund ta ketë armik.

Ai është drejtori i bankës Otp, një nga institucionet më të rëndësishme financiare në vend. Ai punëson ish politikanët nga të gjitha partitë dhe konglomerati i tij bujqësor, i kryesuar nga djali i tij, kontrollon kompani të privatizuara nga Orban. Pasuria e Meszaros, nga ana tjetër, është e lidhur ngushtë me kryeministrin. Ai ndërtoi një perandori duke fituar kontrata publike për projekte të financuara kryesisht nga BE, dhe së fundmi bleu disa kompani në pronësi të biznesmenëve që humbën favorizimin e Orbanit.

Për sy e faqe qeveria hungareze ka vendosur një tavan për kompanitë më të mëdha, për subvencionet. Por fermerët shpjegojnë se është e lehtë të anashkalosh ligjin, për shembull duke e ndarë pronën dhe duke e kthyer tokën në disa biznese të ndryshëm. Përveç oligarkëve të mëdhenj si Mezaros, përkrahës të tjerë dhe simpatizantë të Orban kanë marrë sipërfaqe të mëdha toke publike.

Në provincën e Csongrád, për shembull, anëtarët e familjes dhe anëtarët e Janos Lazar, një deputet i partisë në pushtet, është ndër blerësit më të mëdhenj të tokës: ai ka marrë më shumë se 500 hektarë tokë. Në zonën e Bacs-Kiskun, të afërmit dhe miqtë e një ish-partneri të Meszaros kanë blerë sipërfaqe të mëdha toke. Dhe në provincën e Jasz-Nagykun-Szolnok shumë prej ankandeve të privatizimit të tokës publike u fituan nga aleatët dhe anëtarët e familjes të zyrtarëve aktualë dhe të qeverisë së kaluar. Më vonë, toka e blerë, u jepet me qera të tretëve me çmime dukshëm më të larta, ndërkohë që kompanitë e mëdha bujqësore marrin subvencionet evropiane.

“Është mënyra për të vjedhur subvencionet e Bashkimit Evropian, falë këtij sistemi të qirave të tokës”, thotë Mihaly Borbiro, një ish kryebashkiak i Obarok, një qytet i vogël në provincën e Fejér, jo larg nga vendlindja e Orban. Kontrolli i ushtruar nga Orbán mbi subvencionet evropiane gjithashtu ka një pasojë tjetër: ndihmon në parandalimin e revoltave të reja midis fermerëve. Sepse për sa kohë që qeveria administron shpërndarjen e subvencioneve, askush nuk mund të flasë. “Nëse kritikon sistemin nuk merr asgjë”, thotë Borbiro.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN