Tërmeti i 26 nëntorit, sipas raportit të vlerësimit të dëmeve, nxori në pah një numër të madh biznesesh të prekura, duke llogaritur një dëm në sektorin prodhues që shkon në rreth 150 milionë euro. Për të lehtësuar bizneset në tre qarqet, ku është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, drejtori i politikave fiskale në Ministrinë e Financave, Niko Lera, thotë se Administrata Tatimore nuk do të kryejë kontrolle te bizneset dhe nuk do të aplikohen penalitete në rast vonese në vetëdeklarimin e xhiros.
“Në këtë periudhë bizneset vazhdojnë të kenë vonesa apo mosdeklarime natyrisht dhe ligji e ka parashikuar që në situata të tilla administrata tatimore do të zerojë çdo gjobë dhe penalitet që lidhet me këto deklarata është e parashikuar në ligj. Nëse ka dëmtime në mallrat qarkulluese ato do të jenë shpenzime të zbritshme dhe do ti njihen si humbje. Nëse ka shpenzime për heqjen e mbeturinave apo transportin natyrisht që ato do të jenë pjesë e rezultatit dhe humbjes së biznesit, nëse ka nevojë për punime restauruese natyrisht që ato të gjitha do të jenë shpenzime të njohura. Natyrisht në këtë situatë këto subjekte të dëmtuara nuk do të jenë objekt i kontrolleve ndaj kontrolle nuk do të ushtrohen”, shprehet Lera.
Përfitime do të ketë edhe për ndërtuesit, të cilët do të përfshihen në programin e rindërtimit të shtëpive të banorëve që kanë mbetur jashtë si pasojë e tërmetit. Lera thotë se qeveria ka përjashtuar nga tatimi mbi vlerën e shtuar të gjitha mallrat apo pajisjet që importohen me qëllim rindërtimin e banesave duke ulur kështu ndjeshëm kostot për këtë program. “Është miratuar ligji për rindërtimin dhe përjashtimin nga TVSH të imputeve dhe procesit të rindërtimit. VKM përcakton procedurën normale të pajisjes me autorizim të kompanive pra baza ligjore është gati me çeljen e fondeve dhe hapjen e tenderave dhe përcaktimin fitues gjithkush do të marr autorizimin përkatës në administratën tatimore.
Procesi është i thjeshtë, ai që financon zbaton procedurën e tenderimit sipas parashikimeve ligjore përcakton kush është kompania që do ekzekutojë punimet kjo kompani shkon paraqitet në administratën fiskale dhe bazuar në këto ligje dhe VKM do të marr autorizimin për tu përjashtuar nga tatimi mbi vlerën e shtuar si në blerjen e imputeve brenda vendit ashtu edhe në importin e imputeve”, thekson ai. Referuar raportit të bërë publik për vlerësimin e nevojave pas fatkeqësisë natyrore, rezulton se në total janë 714 sipërmarrje të dëmtuara, 438 të papunë në 56 fabrika, 124 të papunë në tregti dhe si rezultat llogaritet 1.9 milionë euro humbje të ardhurash.