MENU
klinika

Raportimi financiar i shëndetshëm dhe transparent

Denaj: Qasje pro aktive ndaj konkurrencës së ndershme

04.02.2020 - 14:11

Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të angazhohet për përmirësimin e mëtejshëm të cilësisë së raportimit financiar në vend ashtu si dhe investigimin kundër korrupsionit.

Gjatë takimit të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian që u mbajt në Tiranë, Denaj tha se objektiv themelor mbetet përmirësimi i vazhdueshëm i klimës së përgjithshme të biznesit në vend, përfshirë edhe qasjen tonë ndaj korrupsionit në sektorin privat.

Sipas saj, një sere ndryshimesh ligjore të ndërmarra kanë synuar përmirësimin dhe rregullimin ligjor të standardeve të raportimit të pasqyrave financiare të njësive. Përmes këtij procesi, tha ajo, sigurohen pasqyra financiare të besueshme dhe transparente që janë të nevojshme për të gjithë aktorët të tillë si administrata shtetërore, sistemi bankar dhe financiar. si dhe vetë bizneset.

“Raportimi financiar i shëndetshëm dhe transparent nga çdo biznes vendas dhe i huaj, luan një rol kryesor në zhvillimin ekonomik të vendit, në zhvillimin e tregjeve të kapitalit, rritjen e aksesit ne financim, dhe përbën një qasje pro aktive ndaj konkurrencës së ndershme. Një kornizë ligjore konçize dhe e fortë, e shoqëruar me profesionin e mirë rregulluar të kontabilitetit dhe auditimit do të çojë në rritjen e besimit të investitorëve dhe publikut”, theksoi ajo.

Ministrja vuri në dukje se me ndihmën e Bankës Botërore, përmes projektit “Përmirësimi i cilësisë së raportimit financiar” u mundësua një mënyrë e re e paraqitjes së pasqyrave financiare përmes sistemit online, ku informacionet financiare do të jenë të aksesueshme për të gjitha palët e interesuara dhe gjithashtu zbatimin e një format të ri për paraqitjen e pasqyrave financiare në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Paralelisht, vuri në dukje Denaj, jemi angazhuar në procese të tjera, që i shërbejnë mirëqeverisjes së korporatave dhe reduktojnë qasjet korruptive.

“Në tërësinë e fushës së veprimit të MFE, përqasja kundër korrupsionit të realizuar mbi të gjitha në sektorin privat përfshin një sërë veprimesh direkte dhe indirekte në raport me përpjekjet kundër evazionit fiskal dhe informalitetit, të tilla si reduktimin e shërbimeve të marra në mënyrë të drejtpërdrejtë nga sportelet, mbështetje për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe përmirësimin e kapaciteteve operacionale, apo ndryshimet ligjore të nevojshme për të reduktuar qasjet korruptive dhe për të rregulluar operimin e biznesit”, bëri të ditur Denaj.

Sipas saj, projektligji për investimet e huaja ofron politika më të mira investimesh në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare.

“Angazhimi i qeverisë shqiptare për anëtarësimin në BE është një forcë e rëndësishme lëvizëse për përmirësimin e kuadrit ligjor në kontekstin e funksionimit të mirë të sektorit privat, kjo e shprehur me përafrimin e legjislacionit me atë të acquis communitaire në 3 kapituj që MFE menaxhon dhe në të gjithë legjislacionin e aprovuar, tashmë në raport me luftën kundër evazionit dhe pastrimit të parave, edhe brenda paketës Moneyval”, theksoi ministrja.

Më tej ajo tha se prej vitit 2013, qeveria shqiptare është angazhuar kundër informalitetit në treg. “Këto përpjekje janë në zhvillim të vazhdueshëm dhe po shkojnë drejt një strukturimi të masave dhe veprimeve. Zbatimi i ligjit të fiskalizimit, i cili formalizon marrëdhënien biznes-biznes (B2B) dhe biznes-qeveri (B2G) si dhe marrëdhëniet individ-biznes, përbën edhe një hap të madh në këtë drejtim”, tha ministrja Denaj.