MENU
klinika

Emërimi bëhet më 23 mars

Dialogu Kosovë-Serbi/ Propozimi zyrtar i Borell

22.02.2020 - 13:32

Mirosllav Lajçak u propozua sot zyrtarisht përfaqësues i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi. Lajmi u konfirmua për Radion Evropa e Lirë nga burimet diplomatike në Bruksel.

Sipas tyre, shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Joseph Borrell, u ka dorëzuar vendeve anëtare të BE-së emrin e Lajçakut si përfaqësues i ardhshëm i bllokut, i cili para së gjithash do të merret me normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe me çështje të tjera në rajon.

Propozimi formal i Lajçakut mësohet se ka qenë edhe arsyeja e bisedave telefonike që Borrell ka zhvilluar të premten me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Pritet që emërimi i Lajçakut në detyrën e re të bëhet më 23 mars, në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve të Bashkimit Europian. Deri në takimin e ardhshëm të ministrave të BE-së, Lajçak do ta përfundojë mandatin si ministër në Qeverinë e Sllovakisë, pasi në këtë vend, më 29 shkurt, mbahen zgjedhjet parlamentare.

Pas propozimit formal do të ketë debate të grupeve të ndryshme të punës, si dhe në Komitetin e Sigurisë Politike të BE-së, ndërsa vula përfundimtare do të jepet në Këshillin e Ministrave të BE-së. Për përfaqësuesin e posaçëm të BE-së duhet miratimi i të gjitha vendeve anëtare.

Ai do të bëhet pjesë institucionale e sistemit dhe do t’i përgjigjet jo vetëm përfaqësuesit të lartë të BE-së, në këtë rast Borrellit, por edhe Këshillit të Ministrave të BE-së. Lajçak ka përvojë të gjatë në rajonin e Ballkanit. Ai ka qenë ambasador i Sllovakisë në Serbi dhe Mal të Zi. Pastaj është emëruar i dërguar evropian për referendumin për pavarësi të Malit të Zi dhe ka shërbyer si përfaqësues i lartë ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Palët të vendosin kohën për bisedime"

Palmer: Do të duhet kohë që Serbia të njohë Kosovën