MENU
klinika

Qeveria gjermane: Borell të vendos

Do të ketë emisar special për Kosovën e Serbinë?

06.02.2020 - 15:29

Nga Qeveria gjermane e kancelares Angela Merkel thonë se është në dorë të Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borell, nëse do të emërojë apo jo një Përfaqësues Special për dialogun Kosovë-Serbi. Ndërkohë nga Berlini zyrtar kanë dhënë edhe porosi për qeverinë e re, duke kërkuar rinisje të shpejtë të dialogut dhe heqje të taksës.

Përgjatë vitit të kaluar kancelarja gjermane, Angela Merkel, kishte udhëhequr përpjekjet për rinisjen e dialogut Prishtinë-Beograd në bashkëpunim me Francën dhe Shtetet e Bashkuar të Amerikës. Me qëllim të nxitjes së Kosovës për heqje të taksës dhe kthim në tavolinën e dialogut më 3 shtator në Kosovë kishte qëndruar deputeti i CDU-së, Peter Beyer, i cili kishte thënë se do të ishte e udhës që BE njëjtë sikurse SHBA të emërojë një Përfaqësues Special për dialogun.

Një ide e tillë nuk ishte diskutuar shumë meqenëse në kohën e propozimit në BE po përgatitej ndërrimi i pushtetit. E tashmë kur Josep Borell i ka zënë vendin Federica Mogherinit, çështja e emërimit të Përfaqësuesit Special është një prej ideve në sirtarin e kryediplomatit të BE’së. Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i BE’së, Peter Stano.

“Në takimet me bashkëbiseduesit e tij, Borrell e ka përmendur idenë që një zyrtar evropian të ngarkohet me agjendën evropiane të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kjo ka qenë një nga shumë idetë që janë diskutuar me partnerët”– kishte deklaruar Stano para dy dite.

Por cili është qëndrimi i Qeverisë Federale Gjermane dhe a e mbështesin idenë e emërimit të një Përfaqësuesi Special të BE. Në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express nga zyra e kancelares Merkel, thonë se Borell ka mbështetjen e plotë të Gjermanisë si lehtësues për normalizimin e dialogut Kosovë-Serbi, dhe sipas tyre është në dorën e Borell emërimi i mundshëm i një Përfaqësuesi Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

“Gjermania mbështet plotësisht Përfaqësuesin e Lartë Borell si lehtësues për normalizimin e bisedimeve mes Serbisë dhe Kosovës. Ne mirëpresim vizitën e tij të parë në Prishtinë dhe Beograd përgjatë javës së fundit. I takon Përfaqësuesit të Lartë të vendos se si e kompozon ekipin e tij, përfshirë edhe caktimin e mundshëm të një Përfaqësuesi Special”– ka thënë një zëdhënës i Qeverisë Gjermane për Gazetën Express.

Ndërkohë për Qeverinë e re të Kosovës Berlini zyrtar ka disa porosi. Sipas tyre dialogu tashmë duhet të rinisë shpejtë dhe një hap i rëndësishëm për këtë do të ishte heqja e taksës 100 për qind. “Dialogu tashmë duhet të rinisë shpejtë. Një hap i rëndësishëm do të ishte heqja taksës 100 për qind e vendosur nga Kosova për produktet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina”– ka përfunduar ky zëdhënës i Qeverisë gjermane.

Të pyetur rreth ambasadorit gjerman në Kombet e Bashkuara, Christoph Heusgen, si emër potencial që mund të marrë rolin e Përfaqësuesit Special të BE’së për dialogun, nga Qeveria gjermane nuk kanë dhënë ndonjë koment.

Dialogu Kosovë-Serbi është bllokuar që nga nëntori i vitit 2018 pas refuzimit të Serbisë që të kthehet në tryezën e diskutimeve si pasojë e taksës 100 %. Që nga ajo kohë partnerët perëndimorë vazhdimisht kanë kërkuar kthim të palëve në dialog. Ndërkohë tashmë situata pritet të zhbllokohet, duke qenë se koalicioni LDK-VV kishte premtuar heqje të taksës dhe vendosje të reciprocitetit.

Përpjekje për zhbllokim të situatës është duke bërë edhe emisari i Donald Trump për dialogun, Richard Grenell, i cili ka kërkuar heqje të taksës, ndërkohë në Berlin është duke shtyrë përpara marrëveshjen për linjën ajrore Prishtinë-Beograd dhe atë për hekurudhën.