Prokuroria e Posaçme me seli në Hagë, e cila trajton pretendimet për krime lufte në Kosovë, paralajmëroi fillimin e ngritjes së akuzave.
Në një njoftim të saj thuhet se “Prokurori i Specializuar ka njoftuar Kryetaren e Dhomave të Specializuara të Kosovës se ka ndërmend të fillojë procedime penale dhe ka bërë kërkesë për caktimin e një gjykatësi të procedurës paraprake në pajtim me Ligjin”.
Më tej, aty shpjegohet se kryetarja ka caktuar një gjykatës të procedurës paraprake për të shqyrtuar aktakuzat e dorëzuara. “Përmbajtja e tyre mbetet konfidenciale, përveç nëse konfirmohet dhe deri sa të konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake”, thuhet në njoftim.
Gjykata e Posaçme e cila me emrin Dhomat e Specializuara vepron në Hagë, u miratua në fillim të muajit gusht të vitit 2015 nga parlamenti i Kosovës.
Ideja për themelimin e saj pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty, për përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.
Hetimet sikurse edhe ngritja e gjykatës kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s. Mbi 200 ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019.
Në korrik të vitit 2019 në Prokurorinë e Posaçme u thirr edhe ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili dha dorëheqje duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.