MENU
klinika

Rrëfimi i Armando Sadikut

“Europiani më ndryshoi jetën, bukur te Malaga”

13.02.2020 - 15:17

Ka shënuar 10 këtë sezon me Malagën dhe po kalon një formë të mirë. Sa herë shënon Armando Sadiku, ekipi nuk humb. Ai është kthyer në një lider të Malagës.

Tashmë ekipi i është larguar fundit, ndërsa sulmuesi në një intervistë të fundit ka folur për shumë tema, teksa ka zbuluar edhe ofertat gjatë merkatos së janarit.

Kur Sadiku shënon, Malaga nuk humbet?

“Shpresoj të vazhdoj kështu edhe në 15 ndeshjet e mbetura. Na duhen pikë. Me cilësitë që ka ekipi nuk duhej të ishim aty ku jemi, por do japim maksimumin në ndeshjet e mbetura”.

Do kishe firmosur kur erdhe se do realizoje 10 gola?

“Kam shumë besim në vetvete. Objektivi im i parë ishte të luaja në çdo ndeshje, të kisha shumë minuta të cilat më duheshin pas një dëmtimi të rëndë. Ky ishte qëllimi im, të luaja në çdo ndeshje dhe të shënoja. Kam shënuar 10 dhe ato janë fryt i punës së gjithë ekipit. Shpresoj të vazhdoj kështu”.

Edhe sa të tjerë?

“Të shohim, dua të shënoj në çdo ndeshje. Duhet të jem gati kur të vijnë mundësitë. Nga zemra më lind dëshira të arrinim në play off, dua të lë gjurmë këtu. Do e provojmë deri në fund”.

Golashënuesit më të mirë të Malagës në një sezon kanë shënuar 14 gola, do i arrini?

“Shpresoj të vazhdoj dhe të shënoj deri në fund”.

Presidenti i Levantes ju përgëzon sa herë shënoni?

“Ndonjëherë po. Kam raport të mirë me të, por jo vetëm me presidentin. Gjithashtu edhe me drejtorin sportiv, me shokët… Duhet ta falenderoj presidentin që pati besim te mua. Rinovoi për një vit, më transferoi këtu dhe më siguroi se çdo gjë do shkonte mirë. Më ka dhënë një mundësi dhe po ia dal mirë. Kjo është e mirë edhe për Levanten”.

Keni edhe një vit kontratë me Levanten?

“Kështu është, kam edhe një vit kontratë. Huazimi im te Malaga është për një vit dhe nuk përfshin mundësinë e blerjes. Nuk mund të përfshinim të tjera opsione duke parë vështirësitë e klubit”.

Nëse Malaga kalon problemet dhe do të vazhdojë me Sadikun, ka mundësi?

“Do më pëlqente. Jam mirë këtu, familja ime është mirë dhe do shohim në fund”.

Keni refuzuar oferta në janar nga një klub izraelit për të qëndruar këtu…

“Menaxheri im foli me një klub izraelit dhe gjithashtu mori një ofertë nga një vend arab, por e kishte të qartë se unë nuk doja të largohesha. Dua të përfundoj sezonin këtu. Erdha të luaja më shumë se 30 ndeshje dhe të shënoja gola. E kam të nevojshme, unë jam i lumtur në Malaga ashtu si edhe familja ime”.

Me ju dhe Baren, Malaga është ekipi më shqiptar. Ndiqet shumë ekipi juan në Shqipëri?

“Ndiqet shumë. Kur shënoj gol apo kur Keidi luan shumë mirë, vendosen ndeshjet në televizor dhe në media shkruhet shumë mirë për ne. Kjo më gëzon shumë, që vendi jonë na ndjek ne të dyve”.

Një tjetër shqiptar, Manaj, sapo ka firmosur me Barcelonën. Është kaq i mirë?

“Po është shumë i mirë. Unë nuk e njoh shumë pasi kemi luajtur pak në Kombëtare. Por, është një djalosh që ka një të ardhme të madhe përpara”.

E njihni mirë Baren, si po e kalon këtë periudhë që flitet shumë për transferimin e tij?

“Ai është shumë i lumtur në Malaga. I pëlqen të jetë këtu dhe ka arritur Kombëtaren. Është i qetë, është i ri. Është 22-vjeç dhe ka të gjithë karrierën përpara. Është titullar dhe thuajse një lider për ne. Të shohim se çfarë ndodh në fund të sezonit, por ka një të ardhme brilante”.

Çfarë kujtimesh ke nga Europiani?

“Janë kujtime që do i ruaj përgjithmonë. Europiani më ndryshoi jetën. Para se të shkoja në Europian unë isha sulmuesi i katërt në Kombëtare dhe nuk isha i qartë nëse do isha pjesë e listës. Ndryshova skuadër gjashtë muaj para, u transferova te Vaduz. Aty luajta mirë.

 

Shënova në tre miqësoret e fundit me Kombëtaren dhe para Europianit e filloja gjithnjë si titullar. Shënova golin e fitores kundër Rumanisë dhe aty karriera ndryshoi për mirë. Më vonë vazhdova të shënoja gola me Kombëtaren dhe kjo më hapi rrugën për t’u transferuar te Levante”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Bomberi shqiptar protagonist

Gol me kthesë, Sadiku i jep pikë ekipit