Ka shkuar në mbi 100 numri i të shoqëruarve nga policia pas aksionit që ndërmori mbrëmjen e djeshme deri në mëngjesin e sotëm kundër veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit. Aksioni është shtrirë njëkohësisht në disa qytete, si Tiranë, Elbasan, Durrës, Berat, Fier, Shkodër, Korçë dhe Pogradec.
Operacioni është zhvilluar nga sektori i krimit ekonomik dhe është mbështetur nga Forcat RENEA, FNSH dhe forcat “Shqiponja”. Pas kontrolleve të kryera në lokalet dhe ambientet ku dyshohej se kryeheshin aktivitete të paligjshme të organizimit të lojërave të fatit, strukturat e krimit ekonomik kanë sekuestruar pajisje te ndryshme që dyshohet se përdoreshin nga personat e shoqëruar për të luajtur lloto apo lojëra të tjera fati.
Numri më i madh i të shoqëruarve raportohet në qytetet e Elbasanit dhe Tiranës, ndërsa për shkak të sofistikimit të mënyrave të luajtjes së lojërave të fatit, policia po kryen hetime të mëtejshme për të faktuar nëse personat e shoqëruar kanë kryer veprimtari të paligjshme duke luajtur kumar.
Në Tiranë strukturat e anti-krimit ekonomik kanë zhvilluar kontrolle në disa lokale ku janë sekuestruar pajisje te paligjshme. Po kështu gjatë operacionit janë shoqëruar rreth 20 persona.
Në Elbasan, gjatë kontrolleve efektivët kanë sekuestruar kamera të lokaleve të ndryshme, atje ku dyshohet se në mënyrë të fshehtë organizohen lojëra të palejuara të fatit, si dhe aparatet celularë të disa personave për të për të parë nëse kanë luajtur lojëra fati përmes telefonit.
Edhe në Korçë e Pogradec, policia zhvilloi aksione blitz nëpër lokale dhe ambiente të ndryshme për lojërat e fatit. Burime policore pranë DVP Korçë bëjnë me dije se janë kontrolluar dhjetëra ambiente në të gjithë qarkun. Ka pasur disa raste të konstatuara dhe persona të shoqëruar. Ndërkohë që për më shumë detaje pritet një deklaratë zyrtare ne policia.
Në aksion kanë marrë pjesë FNSH, policia rajonale dhe skuadra Shqiponja.