MENU
klinika

Me "KO" teknik

Fury mposht Wilder, shpallet kampion bote

23.02.2020 - 11:33

Tyson Fury është kampioni i ri i botës në peshën e rëndë, pas fitores me “KO teknik” në raundin e shtatë ndaj Deontay Wilder, sfidë e zhvilluar në Las Vegas. Një triumf i merituar i boksierit britanik, që rikthehet kampion bote në këtë Divizion, duke marrë titullin e kategorisë WBC.

Një duel i dominuar nga Fury (30 fitore e 1 barazim), i pamposhtur në ring, ndërsa për boksierin amerikan kjo është humbja e parë në karrierë (ka edhe 42 fitore e 1 barazim).

Fury e komandoi këtë ndeshje në të 7 raundet, teksa e hodhi dy herë rivalin në tapet para se gjyqtari ta ndalte atë: Në raundin e 3-të dhe të 5-të. Wilder dukej i lodhur dhe pa ide, ndërsa Fury ishte tepër agresiv, duke evituar grushtet e rivalit amerikan.

Britaniku e lodhi shpejt Wilder, që nuk ishte në gjendje të grushtonte, ndërsa Fury e vuri nën presion, duke grushtuar fort dhe në raundin e shtatë triumfoi. Wilder dorëzon kështu titullin. Wilder pësoi edhe një dëmtim në veshin e majtë, nga ku dilte gjak.

Ndërsa Fury nuk pësoi asnjë të gërvishtur, duke treguar se ishte në formë të shkëlqyer dhe se taktika e tij për ta sulmuar rivalin që në start ishte e duhura. Britaniku dhuroi spektakël edhe pas duelit, duke kënduar në ring, duke bërë për vete të gjithë publikun.