Punonjësit e pushtetit lokal, gazetarët, punonjësit e spitaleve shtetërore, të hekurudhave dhe të porteve i janë bashkuar grevës e cila ka filluar në orën 06:00 sipas kohës lokale në Greqi me thirrjen e bërë nga Konfederata e punonjësve të sektorit publik (ADEDY), Fronti militant i të gjithë punëtorëve (PAME) dhe Qendrës së punëtorëve të Athinës (EKA). Gjatë grevës ku ka patur ndërprerje në shërbimet në spitalet shtetërore dhe në disa bashki, thuhet se nuk janë përditësuar në orë të caktuara faqet e internetit kryesisht për lajme dhe se nuk janë publikuar edicionet e lajmeve në kanalet televizive private dhe ato shtetërore.
Si pasojë janë anuluar udhëtimet ndërqytetase me tren si dhe disa anije për udhëtimet mes territorit tokësor dhe ishujve kanë qëndruar të ankoruara në port. Ndërkohë ka shkaktuar ndikim negativ në trafikun e kryeqytetit, mbështetja që punonjësit e sektorit të transportit publik kanë dhënë për grevën duke ndërprerë punën në orë të caktuara të ditës.
Në kuadër të grevës sindikata të ndryshme, kryesisht ADEDY, PAME dhe EKA zhvilluan protesta në kryeqytetin grek Athinë. Pas protestave në sheshet “Klaftmonos” dhe “Omonia” në qendër të qytetit, protestuesit marshuan deri në sheshin “Sintagma” ku ndodhet Parlamenti. Projektligji i përgatitur nga qeveria i cili u soll dje në Parlament për t‘u miratuar nën emërimin e “Reformës së sigurimeve dhe transformimit dixhital të institucionit Kombëtar të Sigurimeve Shoqërore”, përfshin rritjen e primeve të sigurimit dhe rregullimin e pensioneve sipas inflacionit.
Punonjësit e sektorit publik dhe punëtorët që kundërshtojnë projektligjin, dëshirojnë heqjen e kufizimeve të vendosura ndaj institucioneve të sigurimeve shoqërore në kuadër të referendumeve në vitet e krizës financiare dhe që të gjitha fondet e pensionistëve të vendosen nën sigurinë shtetërore. Punonjësit e sektorit publik kërkojnë zbatimin e shpërblimeve gjatë festave për punëtorët dhe pensionistët me dy paga në vit të cilat njihen edhe si paga e 13 dhe 14.//AA