“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacientja: Përshëndetje, kur me vijnë menstruacionet kam shumë dhimbje. Çfarë të bëj?
Përgjigjet mjekja e përgjithshme: Dhimbjet menstruale (të periodave), ose siç njihen ndryshe me termin mjekësor “dysmenorrhea primare”, për shumë vajza dhe gra janë një pjesë e pakëndshme e jetës. Gjatë këtyre ditëve, shqetësimet janë të shumta, si për shembull: fryrje barku, dhimbje mesi, dhimbje në fund të barkut, të përziera, të vjella, diarre. Nëse kemi humbje lëngjesh gjatë kësaj periudhe është e rëndësishme që të zëvendësohen ato. Prandaj mënyra më e thjeshtë është pirja e ujit, rreth 6-8 gota në ditë shpesh dhe nga pak. Mund të përdorni gjithashtu për lehtësimin e dhimbjeve edhe çaj kamomili, ose xhinxheri. Po ashtu mjaft e këndshme në shije, edhe kur keni ndjesinë e të vjellave është uji me limon, kastravec, ose nenexhik. Shumë studime raportojnë që edhe një dietë e zgjedhur dhe e shëndetshme, luan rol të rëndësishëm për kapërcimin sa më lehtë të ditëve menstruale. Këshillohet që të konsumohen më shumë ushqime antioksidante që ulin efektet inflamatore dhe ndihmojnë në lehtësimin e dhimbjeve. Për më tepër ju këshilloj një vizitë tek gjinekologu.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.