MENU
klinika

Çfarë thotë për dialogun Kosovë-Serbi?

Kurti: Grenell i ka dhënë dialogut energji të re

08.02.2020 - 11:56

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka komentuar angazhimin e ambasadorit Richard Grenell për arritjen e pajtimit të Kosovës dhe Serbisë për linjën ajrore dhe atë hekurudhore në kohën kur dialogu i Brukselit ka stagnuar.

“Kemi shprehje të interesit në disa fusha për marrëveshje siç është ajo e fluturimeve dhe e hekurudhës. Tash, unë, në parim, do të udhëhiqem prej Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve të saj, në njërën anë, dhe prej parimit të reciprocitetit dhe vullnetit të mirë, në anën tjetër. Besoj se angazhimi i ambasadorit të Shteteve të Bashkuar të Amerikës në Berlin, i ka dhënë energji të re procesit.

Ambasadori amerikan në Berlin, beson që për investime ekonomike në rajon, marrëveshja është çelësi. Unë nuk e mohoj që një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë do t’i ndihmonte perspektivës së zhvillimit ekonomik të rajonit, por si kryeministër i Republikës së Kosovës, si fitues i zgjedhjeve, që ka garuar me një program të fuqishëm ekonomik, besoj që këtu nuk duhet neglizhuar tre faktorë të rëndësishëm.

I pari është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë që krijon besueshmëri për investitorët. I dyti është luftimi i varfërisë së popullsisë, në mënyrë që të ngrihet kërkesa agregate për mallrat dhe gjithashtu mendoj se e treta është jo më pak e rëndësishme qasja sa më e lehtë në financa, pra në një lloj të kapitalit fillestar për ndërmarrësinë ekonomike”.

Kurti ka thënë se ka gatishmëri për dialogun Kosovë-Serbi.

“Nuk dua të paragjykoj shpejtësinë e arritjes së marrëveshjes. Për mua qëndrueshmëria e bisedimeve është shumë e rëndësishme dhe sa më parë që arrijmë marrëveshje, aq më mirë. Aktualisht, në këtë muaj ne vetëm sa kemi filluar në Qeverinë e Republikës së Kosovës që të bëjmë këtë fuzionim të ministrive. Është dita e katër e punës sime. Ende nuk i kam as 100 orë punë, se lëre më 100 ditë. Ndërkaq, në anën tjetër, Serbia po fillon një fushatë zgjedhore për zgjedhjet e saj atje. Kështu që duhet të kemi pak mirëkuptim edhe për këto dy dinamika në dy vendet tona”– ka thënë Kurti në një intervistër për REL.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN