Placido Domingo u ka kërkuar falje femrave që ka lënduar, të cilat e akuzuan për ngacmim seksual. Ylli i operas dha dorëheqjen si menaxher i përgjithshëm i “Los Angeles Opera”, pasi akuzat ndaj tij u bënë publike. Gjithsej 20 gra e kanë akuzuar Domingon, për ngacmim seksual dhe sjellje të pahijshme.
Por, ai i ka mohuar të gjitha pretendimet.
“E respektoj faktin që këto gra, më në fund ndihen të sigurta për të folur,”– tha ai, për “Los Angeles Times”. “Dua që ato ta dinë se më vjen vërtet keq që i kam lënduar.”
Ndërsa më pas, Domingo shtoi: “Pranoj me përgjegjësi të plotë veprimet e mia… Jam rritur nga kjo eksperiencë.” Deklarata erdhi pas një hetimi ndaj tij, nga një sindikatë amerikane që përfaqëson këngëtarët e operës.
Hetimi zbuloi se ai ishte përfshirë në sjellje të papërshtatshme, nga flirtimi deri te ngacmimi seksual, brenda dhe jashtë ambienteve të punës. Akuzat, që shkojnë pas në kohë, deri në vitet ’80, u bënë për herë të parë publike në gusht, nga “Associated Press”.
Sipas pretendimeve, Domingo u kishte bërë shpesh presion grave, për marrëdhënie seksuale dhe shpeshherë i ndëshkonte profesionalisht nëse refuzonin. Në deklaratën e tij të fundit, Domingo tha se gjatë muajve të fundit, kishte reflektuar mbi akuzat e disa kolegeve ndaj tij.
Domingo 79-vjeçar, është një nga yjet më të mëdhenj të operës. Ai është i martuar me gruan e dytë, sopranon Marta Ornelas, prej vitit 1962.