MENU
klinika

"Arritje sa më të mëdha në të mirë të Kosovës"

Meta përshendet marrëveshjen dhe uron Kurtin

02.02.2020 - 11:33

Presidenti Ilir Meta përshëndet arritjen e marrëveshjes mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës për bashkëqeverisje. Në një postim në facebook, Meta thotë se një qeverisje e qëndrueshme është në interes, jo vetëm të Kosovës, por edhe të gjithë rajonit.

“Përshëndes ngrohtësisht arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje të Lëvizjes Vetëvendosja (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) si dy parti fituese të zgjedhjeve të përgjithshme të 6 tetorit 2019 në Kosovë. Një qeverisje e qëndrueshme është në interes, jo vetëm të Kosovës, por edhe të gjithë rajonit. Qeverisë së Kosovës të drejtuar nga z.Albin Kurti i uroj suksese dhe arritje sa më të mëdha në të mirë të Kosovës në sfidat që e presin”– tha Meta.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, hodhën të dielën nënshkrimet në marrëveshjen për formimin e qeverisë së re për të cilën do të votohet të hënën në parlamentin e Kosovës. Sipas marrëveshjes, qeveria e re do të ketë 15 ministri dhe nga to, Vetëvendosje do t’i ketë gjashtë syresh, po aq sa edhe Lidhja Demokratike, ndërsa 3 ministri do ti kenë pakicat.

Sipas marrëveshjes, posti i kryetarit të parlamentit do t’i takojë Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe sipas zotit Kurti, kryetari aktual, Glauk Konjufca do të marrë një post qeveritar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN