MENU
klinika

Rama editorial për Euractiv

“Mini-Shengeni nuk është ‘plani B’ i Ballkanit Perëndimor”

14.02.2020 - 11:16

Ideja e një Shengeni rajonal përfshirës si dhe bashkëpunimi mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke u mbështetur në katër liritë e Bashkimit Europian, nuk zëvendëson, por përbën mënyrën më të mirë për tu përgatitur për anëtarësimin në BE, shkruan Edi Rama.

Të hënën e ardhshme (17 Shkurt), Komisioni Europian do të zhvillojë Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë në procesin e rindërtimit pas tërmetit të Nëntorit që ka shkaktuar kaq shumë dhimbje në vendin tonë. Pasi iu përgjigj menjëherë nevojës sonë të madhe për ndihmë në përballimin e pasojave të katastrofës natyrore, BE përsëri po na del krah me bujari. Po bëjnë më shumë se thjesht t’i japin një dorë një vendi në nevojë, një vend që, duke pasur përpara një sfidë të madhe, gjithsesi do ta gjejë forcën dhe vendosmërinë për t’ia dalë mbanë.
Këtë, siç e kemi bërë në të shkuarën dhe do ta bëjmë edhe në të ardhmen. Për më tepër, kjo nuk është vetëm për rindërtimin dhe rikonstruktimin, edhe pse kemi nevojë të ecim përpara me shpejtësi duke u siguruar që njerëzit e marrin mbështetjen e nevojshme dhe që numri përfundimtar prej 17.000 shqiptarësh, përkohësisht të zhvendosur mund të kthehen sa më shpejt në shtëpi të sigurta.

Thelbi i ngjarjes është lidhja e pathyeshme mes BE dhe Shqipërisë, një lidhje që e justifikon çdo përpjekje për ta bërë më përforcuar marrëdhënien dhe për të përparuar në planet tona për integrim. Disa e kanë përshkruar vendimin e vitit të kaluar të BE-së për të shtyrë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut si fundi i një epoke dhe na këshilluan t’i planifikonim reformat tona përtej mantrës së integrimit dhe anëtarësimit. Të tjerë u ngutën ta përkufizonin mungesën e marrëveshjes mes shteteve anëtare të BE-së si një gabim historik, një gabim i tillë që i hap dyert një konkurrence të egër mes fuqive të mëdha dhe të mesme për Ballkanin Perëndimor. Për disa, është e thjeshtë të ngatërrojnë një pengesë në rrugë me tërmetin, por ne shqiptarët, që sapo kaluam një eksperiencë të tillë shkatërrimtare, mund ta dallojmë ndryshimin. Nëse i qëndrojmë besnikë vlerave tona demokratike dhe misionit për zhvillim gjithpërfshirës dhe të përbashkët, nuk ka alternativë tjetër për Shqipërinë.

Ne duhet të bëjmë pjesën tonë, të vazhdojmë me reformat dhe të bindim partnerët tanë europianë që i kemi të gjitha kushtet për të nisur negociatat për anëtarësim tani dhe për tu bërë pjesë e bllokut në të ardhmen. Ndaj të njëjtin mendim me miqtë tanë europianë që procesit të zgjerimit i duhet një rishikim dhe mirëpres propozimin që bëri javën e kaluar Komisioni Europian për një proces anëtarësimi më të besueshëm dhe të parashikueshëm. Shpresoj që shtetet anëtare të jenë në gjendje të veprojnë së bashku në bazë të këtij plani të mirëmenduar dhe ne duhet ta strukturojmë bashkëpunimin tonë sipas këtyre standarteve të reja. Veçanërisht përqafoj idenë e një suksesi që është gjithmonë e më shpërblyes dhe që i jep mundësinë shtetit kandidat të angazhohet më thellësisht në BE lidhur me çështje të cilat janë më afër standarteve të përbashkëta. Një proces gradual, me reagim të qartë dhe ku politika luan një rol më të dukshëm, pengon surprizat e pakëndshme dhe na jep parashikueshmërinë për të cilën kemi nevojë.

Qeveria jonë do të vazhdojë të punojë ngushtë me partnerët nga BE dhe të shqyrtojë të gjitha çështjet shqetësuese, duke filluar nga ato që lidhen me cilësinë e demokracisë dhe sundimit të ligjit. Operacioni i fundit i policisë speciale kundër pasurive të paligjshme të personave që janë dënuar ose hetuar për pjesëmarrje në krimin e organizuar dhe krime të rënda gjatë tre dekadave të fundit, është vetëm fillimi i luftës më të ashpër deri më sot kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, çka është e mundur sot për shkak të reformës në drejtësi së suksesshme dhe të vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ndonjëherë, politika shqiptare bëhet e konfliktuale dhe zënkat mund të ndikojnë në kredibilitetin e vendit tonë në sytë e ndërkombëtarëve, por jam i sigurtë se në një shoqëri ku mbështetja për BE-në është mbi 90% dhe ku nuk ka asnjë parti politike kundër Europës, i kemi të gjitha mjetet për të ecur përpara drejt një qëllimi më të madh siç është integrimi Europian. Nuk do të jetë e lehtë dhe do të kërkojë transformimin e sistemeve tona ekonomike, sociale dhe politike, siç ka ndodhur në vendet ish-komuniste që i janë bashkuar BE-së që nga viti 2004 e më tej. Megjithatë, siç na e kujtojnë shpesh burra dhe gra të shquar, aty ku ka vullnet, gjehet edhe rruga.

BE-së nuk kërkon vetëm stabilitet në Ballkanin Perëndimor, por edhe pajtimin. Ideja e një Shengeni rajonal përfshirës si dhe bashkëpunimi mes gjashtë vendeve tona bazuar në katër liritë e lëvizjes në Bashkimin Europian (lëvizja e lirë e mallrave, kapitalit, shërbimit dhe forcës së punës) nuk është Plani B për ne, as nuk është çmim ngushëllimit për t’i treguar një publiku të zhgënjyer që mund të sjellim rezultate. Ne na bashkon qëllimi për integrim Europian dhe mënyra më e mirë për të përparuar drejt tij është të përgatitemi për të në mënyrë aktive duke i hapur ekonomitë dhe kufijtë tanë frymëzuar nga vetë parimet themelore të projektit Europian. Një Ballkan Perëndimor me lidhje me të mira mes vendeve të rajonit do të integrohet më shpejt dhe më me sukses në BE. Ndërsa përgatitem për konferencën e javës që vjen, mbetem shpresëplotë që ky vit do të sjellë një arritje madhore në rrugën tonë drejt Europës. Megjithatë, ne këmbëngulim në besimin tonë se asgjë nuk na pengon t’i bashkohemi sa më shpejt familjes së madhe të demokracive Europiane, anëtarësim nga i cili qytetarët tanë do të përfitojnë po aq sa qytetarët e BE-së.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Kosova nuk trajtohet si shtet i pavarur nga Serbia"

Haradinaj: S’ka nevojë për ‘Mini Shengen’ me kryeqytet Serbinë

"Po nervozohet, por në Kosovë nuk hamë bar'

Gënjeshtar!/ Haradinaj i përgjigjet Ramës


Sulmi i përgjakshëm në tregun e Krishtlindjeve

Autoritetet gjermane përballen me kritika

“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!