Zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi, i është përgjigjur ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila theksonte se grushti i shtetit ka nisur në kokën e Presidentit që me Reformën në Drejtësi.
Përmes një mesazhi në “Facebook”, Blushi e quan Spiropalin të çmendur, ndërsa e pyet nëse edhe për grushtin e shtetit kanë marrë konsensusin e SHBA-BE. Duke i kërkuar ministres Spiropali dhe qeverisë të mbajnë fort oligarkët, Blushi flet sërish me gjuhë paralajmëruese, teksa thekson se “sa për popullin, do e shihni shumë shpejt”.
Reagimi i plotë:
Moj e Çmendura E., po edhe për grushtin e shtetit keni marrë konsensusin e SHBA-BE? Se Venecian që vetë e kërkuat, po vetë e përzutë!
Megjithatë, ne nuk nxitohemi! Po presim edhe opinionet zyrtare të EURALIUS-it. Se kështu mashtruat ju edhe për opinionet që nuk ekzistojnë të KED, Shkollës së Magjistraturës, dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, që shkëlqeu me delegjitimimin e ligjit tuaj anti-kushtetues të betimit buzë Lanës.
Mbani fort oligarkët se ata janë të besës.
Sa për popullin, do e shihni shumë shpejt!
Edhe pak durim!
Me qetësi dhe drejtësi!
Për gjuhën jashtë kontrollit, nuk kemi koment, se ti na udhëheq në këtë drejtim bashkë me Skënderbeun tënd.