MENU
klinika

"Qeveria ta gjejë zgjidhjen"

Mustafa: Reciprociteti ndaj Serbisë kompleks e me pasoja

06.02.2020 - 13:25

Vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi, i lidhur ekskluzivisht me heqjen e taksës 100 për qind, është një nga sfidat kryesore që ka qeveria në krye me Albin Kurtin. Marrëveshja e koalicionit LVV-LDK, saktëson se kjo masë do të hiqet, për t’u zëvendësuar me reciprocitet të plotë politik dhe ekonomik ndaj Serbisë. Mirëpo, rruga drejt këtij procesi nuk po shihet me sy të njëjtë nga partnerët. Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë për Gazetën Express se reciprociteti është shumë kompleks dhe me pasoja shumë dimensionale.

Marrëveshja e bashkëpunimit në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për koalicionin, saktëson se tarifa 100 për qind e vendosur nga Qeveria Haradinaj do të hiqet, për t’u zëvendësuar me masë të reciprocitetit. Për këtë ka folur vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke bërë të ditur se me Serbinë, qeveria do të vendos për reciprocitet të plotë politik dhe ekonomik.

Derisa Kurti u shpreh i bindur për parimin e reciprocitetit e tha se për këtë janë dakorduar me partnerin në qeveri, LDK këtë nuk po e sheh aq lehtë të realizueshme. Kryeparlamentarja Vjosa Osmani dje në një paraqitje para mediave tha se kjo çështje kërkon studim, e të njëjtin qëndrim e përsëriti pak më vonë edhe përmes një publikimi në rrjetin social Facebook.

“Sa i përket zëvendësimit të tarifës me reciprocitet, është temë komplekse që kërkon studim edhe më të thellë edhe më gjithëpërfshirës sepse nuk është temë që prek jo vetëm punën e kryeministrit dhe qeverisë por edhe institucionet tjera që zbatojnë relacionet tregtare dhe ekonomike. Nuk mund të jap një përgjigje të saktë se kur mund të ndodhë. Kjo përgjigje mund të jepet nga ana e Qeverisë më mirë. Kjo kërkon më shumë studim dhe më shumë gjithë përfshirje para se të marrim vendimin final”- ka deklaruar dje Osmani.

Për këtë temë sot ka folur edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Isa Mustafa në një përgjigje për Gazetën Express të enjten ka thënë se dialogu e tarifa e vënë nga qeveria Haradinaj janë prej punëve të shumta që ka qeveria e re. Mustafa thotë se me Lëvizjen Vetëvendosje janë dakorduar që tarifa të ndërlidhet me reciprocitetin, mirëpo, shton se kjo tashmë i mbetet qeverisë.

“Në fillim të kësaj jave është zgjedhur Qeveria, e cila para vetes ka shumë punë, përfshirë edhe dialogun por edhe tarifën e vënë nga Qeveria Haradinaj. Në programin qeverisës jemi pajtuar që tarifa të ndërlidhet me reciprocitetin. Kjo tani është çështje e qeverisë dhe unë do të kursehesha që në këtë fazë të them se si duhet të bëhet”- thotë Mustafa.

Shefi i LDK-së vlerëson se reciprociteti është kompleks dhe ka pasoja shumëdimensionale, e që qeveria duhet të gjejë rrugë më të mirë me të cilën pajtohen SHBA dhe Bashkimi Evropian. “Por duhet të them se është shumë komplekse dhe me pasoja shumëdimensionale. Besoj që Qeveria mund ta gjejë rrugën më të mirë, të bashkërendis me partnerët tanë ndërkombëtarë, veçmas me SHBA dhe BE”– ka deklaruar Isa Mustafa.

Se a do të pajtoheshin apo jo me reciprocitetin nuk kanë dhënë qëndrim të qartë as në Bashkimin Evropian. Në një paraqitje para mediave, shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova ka deklaruar se propozimin e ri të qeverisë Kurti do ta shqyrtojnë, duke përsëritur se është e rëndësishme që sa më shpejtë të rifillojë dialogu i lënë pezull. Përderisa heqja e taksës mund të jetë një nga vendimet e para i qeverisë që udhëhiqet nga Albin Kurtin, për këtë të fundit veçse kanë filluar presionet nga opozita. Partitë opozitare janë duke kërkuar nga LV e LDK që masa të mos hiqet.

Me qëndrim të njëjtë për taksën u shpreh në seancën e të hënës edhe shefi i opozitës. Kadri Veseli i kërkoi llogari Kurtit për këtë temë. Vështirë i realizueshëm reciprociteti po shihet edhe nga njohësit e çështjeve politike. Analisti Shkëlzen Maliqi ka deklaruar për Gazetën Express se nuk beson që mund të ketë realizim të plotë të reciprocitetit, pasi që ka gjëra që sipas tij nuk përputhen.

“Reciprociteti është një prej instrumenteve që nuk besoj që mund të realizohet në plotëni, ka gjëra që nuk përputhen, duhet të provohet të vendosen masa, nuk mund të parashikosh që këmbimi i mallrave do të jetë i nivelit të njëjtë. Këto pengesat që i vendos Serbia duhet të eliminohen, ose Kosova t’i bëjë të njëjtat, si p.sh për targat e automjeteve që ndonjëherë e pengojnë Kosovën që të jetë prezentë në tregun e Serbisë në mënyrë të barabartë, kjo është e kuptueshme si kërkesë, por, ka edhe kërkesa tjera, që i ka shtruar Albin Kurti si padia, por, që është vështirë e realizueshme”- thotë Maliqi.

Taksa 100 për qind është vendosur në nëntor të vitit 2018-të nga Qeveria në krye me Ramush Haradinaj. Që nga atëherë dialogu Prishtinë-Beograd është duke qëndruar pezull pasi që liderët e të dy shteteve nuk kanë pranuar që të ulen në tavolinë të bisedimeve. Serbia ka kërkuar që të hiqet masa, ndërsa Kosova që Beogradi të njeh pavarësinë e vendit.

Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!

Fytyra të reja por detyrime të njëjta

Analiza: “Ngec” sërish dialogu Beograd-Prishtinë