MENU
klinika

Sekretari i OKB: Për të luftuar ndarjet

“Ndërkombëtarët duhet ta mbështesin Ballkanin”

05.02.2020 - 09:18

Antonio Guterres, Sekretari i Përgjithshëm i OKB, thotë se komuniteti ndërkombëtar duhet të mbështesë Ballkanin. Në një konferencë shtypi mbajtur sot në selinë e OKB në Nju Jork, Guterres tha, se OKB do të jetë kooperativ me vendet e rajonit dhe do t’i mbështesë “për të luftuar ndarjet që ekzistojnë dhe për të ecur në procesin e integrimit europian”.

Sekretari i Përgjithshëm tha, se ndjek me shqetësim zhvillimet në Bosnjë Hercegovinë. “Bosnja dhe Hercegovina ka nevojë për komunitetin ndërkombëtar që të kapërcejë situatën mosfunksionuese politike, e cila nxit ndarjet”. Duke vënë theksin në rëndësinë e “pajtimit të vërtetë”, ai anoncoi vajtjen e tij në Bosnjë, në 25 vjetorin e masakrës së Srebrenicës në mënyrë që “ajo të mos përsëritet kurrë”.

Guterres vlerësoi rëndësinë që ka ngritja e një sistemi global për dënimin e gjenocideve dhe krimeve kundër njerëzimit. “Ne jemi ende larg një sistemi penal global. Por… është e rëndësishme që ne të mbështesim një system të tillë, që krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidet të mos mbesin pa u dënuar”.

Sekretari i përgjithshëm shtoi se “duhet të jemi kooperativ me të gjitha vendet e rajonit”, dhe përshëndeti Borrellin, Përfaqësuesin e lartë të BE për politikën e jashtme, i cili e ka shpallur Ballkanin prioritet të punës së tij.

Joseph Borrell do të vijë në Nju Jork në fund të këtij muaji, për here të parë në posti e ri. Mes të tjerash ai pritet të marrë pjesë në një takim të Këshillit të Sigurimit, në të cilin do të diskutohen marrëdhëniet midis OKB dhe Bashkimit Europian.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Pezullon negociatat ose kthimin e bisedimeve të pranimit"

Dokumenti për Metodologjinë e re të BE, si ndikon tek Shqipëria

Metodologjia e re e zgjerimit të BE

Negociatat mund të bllokohen edhe pasi janë hapur