Në tetor të 1917-ës, Trotsky denoncon traktatet sekrete të Qeverisë cariste me Antantën.
Lenini te “Pravda” mban fjalime filipike kundër traktateve sekrete të Fuqive të Mëdha. Në po këtë frymë, edhe Woodrow Wilsoni në 14-pikat e tij i vnoi synim politikës amerikane me e shfuqizue diplomacinë e msheftë tu e shkatërrue të fundit element të sistemit të aleancave në Evropë.
Sigurisht që imitimi i Trotskyt, Leninit a Wilsonit nuk âsht arsyeja e Kurtit për me publikue “marrëveshje sekrete”. Janë kalkulime të tjera në ekuacion. E mbase edhe suflerë të caktuem perëndimorë që e nxisin me ba lëvizje të tilla. Gjermania, hiç pa aluzion.
Edhe sikur ky tekst kish me qenë vërtet “marrëveshje” dhe “sekrete”, ajo prapëseprapë s’përban kurrfarë befasie. Shteti i Kosovës ka me vazhdue mos me pas lojalitet në qindra vendbanime në veri. Idealisht, veriu do të inherentizohej si pjesë e Kosovës veç përmes nji “Oluje” kroate. Por kësaj i iku pakthim treni në vitin 1999.
Kur edhe kapacitetet aktuale të sigurisë s’mjaftojnë me i shtrue dru, atëherë veç nji marrëdhanie me Perëndimin siguron të paktën nji sovranitet minimal mbi atë pjesë.
Nëse ka vullnet qorr që tri komunat serbe në veri të Ibrit me i majtë me zor si pjesë të Kosovës, atëherë “marrëveshjet” e tilla janë mënyra e vetme. Kjo sepse në mënyrën ma idiote në këtë shekull, zgjidhja ma viabël e mundshme u refuzue. U hodh poshtë shkëmbimi territorial që do të stabilizonte në terma largvajtës kontestin shqiptaro-serb.
Kështu, si pjesë e Kosovës 30-40 mijë serbë në veri kanë me vazhdue me pas peshë, madje edhe gjeopolitike.
Në anën tjetër, brenda pak vitesh, ajo brinjë katundesh shqiptare në Medvegjë ka me u shpopullue, njisoj si edhe Bujanoci që po mpaket nga dita në ditë. Të refuzuem prej Prishtinës, shqiptarët e Luginës kanë me mbetë si enklavë mes politikës së egër të Beogradit e nji procesi konstant të islamizimit, po ashtu të nxitun prej Serbisë.