Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit po fiton në dinamikë duke rritur shpresat për një marrëveshje për njohje reciproke, ka deklaruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Këto komente ai i bëri në Mynih, pas takimit më të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadorin Richard Grenell, në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë. Para se të takonte Thaçin, ambasadori Grenell ka takuar edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Pas dakordimit që ishte arritur rreth marrëveshjes për linjën ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit, Thaçi tha se tani do të ketë angazhime të reja për linjën hekurudhore mes Kosovës dhe Serbisë, e cila do të shtrihet edhe në nivele tjera rajonale e ndërkombëtare. Radio Evropa e Lirë merr vesh se delegacionet nga Kosova dhe Serbia, do të nënshkruajnë zyrtarisht marrëveshjen për linjën hekurudhore, në Mynih, të premten.
“Do të punojmë maksimalisht si institucione të Republikës së Kosovës, gjithë spektri politik, shoqëria civile, mediat, të gjithë njerëzit që të arrijmë një marrëveshje finale si dy vende të pavarura dhe sovrane mes Kosovës dhe Serbisë. Është fat që kemi një njeri dinamik (Richard Grenell) i mbështetur plotësisht nga Shtetet e Bashkuara”, tha Thaçi.
Sipas tij, përparimet në dialog po ndodhin në kohën kur të tjerët vetëm i kanë imagjinuar. “Pra, për të investuar në paqe, progres, zhvillim ekonomik, për një jetë më të mirë të qytetarëve të Kosovës. Natyrisht aspirata e Kosovës është që të jetë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian, por edhe OKB-së”, theksoi ai.
Ndërkaq në lidhje me kërkesën e përsëritur nga Grenell për heqjen e tarifës doganore 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, Thaçi tha se Kosova do të ndërmarrë veprime ditëve të ardhshme, por sipas tij, veprimet e Prishtinës nuk do të jenë bllokuese të procesit. Ai tha se nën lidershipin e ambasadorit Grenell, dialogu po fiton në një dinamikë të re. Për këtë çështje ai falënderoi edhe presidentin amerikan, Donald Trump.
Takimet e ndara që Grenell ka zhvilluar në Mynih me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, vijnë një ditë para fillimit të Konferencës së Sigurisë, ku parashihet të marrin pjesë krerët e më shumë se 40 vendeve të botës, përfshirë edhe liderë të Bashkimit Evropian dhe ministra e ekspertë nga vendet e BE-së. Një panel i veçantë i kushtohet edhe Ballkanit Perëndimor.
Një takim paraprak, Grenell ka zhvilluar edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Ky i fundit ka thënë pas takimit se “sapo të hiqet taksa”, Serbia është e gatshme t’i kthehet dialogut me Kosovën. “Kemi pasur një bisedë të hapur dhe të sinqertë – që nuk është kurrë e lehtë për ne, por unë jam i kënaqur që Richard Grenell është aq i vendosur për heqjen e taksës”, ka shkruar Vuçiç në rrjetin social Instagram.
Vuçiç ka thënë se nesër në Mynih do të nënshkruhet marrëveshja kornizë për linjën hekurudhore ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Grupet punuese nga Kosova dhe Serbia udhëtuan më 27 janar në Berlin të Gjermanisë, për të diskutuar me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Richard Grenell rreth vendosjes së linjës hekurudhore midis dy vendeve.
Ditë më parë ambasadori Grenell ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të heqë taksën e vendosur më 2018 ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës, në mënyrë që të zhbllokohet procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Gjatë vizitës së fundit që Grenell u bëri Prishtinës dhe Beogradit, tha se Kosova dhe Serbia duhet ta shfrytëzojnë mundësinë e arritjes së marrëveshjes. Po gjatë asaj vizite, ai i transmetoi Prishtinës mesazhin për heqjen e taksës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia, ndërkohë që Beogradit i kërkoi të ndalë fushatën e çnjohjes së shtetit të Kosovës.
Bisedimet për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë ndërprerë në fund të vitit 2018, pasi Qeveria e Kosovës vendosi taksë ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Në kuadër të Panelit për Ballkanin, pritet që në Mynih për herë të parë të jenë në një takim edhe kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Në të njëjtin panel janë ftuar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe ai i Malit të Zi Milo Gjukanoviç. Në këtë panel pritet të jetë edhe shefi i diplomacisë evorpiane Josep Borrell. Para takimit të Mynihut, kryeministri Kurti e ka ftuar presidentin Thaçi që të koordinohen, mirëpo ky i fundit kishte njoftuar se ndodhej rrugës për në Mynih, kështu që ai takim koordinues për politikën e jashtme kosovare nuk ishte mbajtur.